Ruhuni nga vapa e madhe! Temperaturat deri në 39 gradë

09/07/2015 00:00

Temperaturat  e larta pritet të vijojnë deri në mesin e javës së ardhshme, kur termometri pritet  të shënojë 38 deri në 39 gradë Celcius në hije.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikon një fundjavë të nxehtë, edhe pse ditën e premte pritet të këtë një ulje të lehtë të temperaturave.

“Për kryeqytetin nga 36 gradë, nesër (e premte) pretendojmë të arrijmë 34 gradë. Megjithatë nesër pretendojmë të ketë dhe reshje shiu të izoluara, kryesisht në veri, verlindje dhe juglindje të vendit, dhe pjesërisht në zonën e Elbasanit, në qendër.

Ndërsa duke filluar nga dita e pasnesërme do të jemi në një mot kryesisht të kthjellët me pak vranësira të motit të mirë. Dhe nga dita në ditë do të kemi një rritje të lehtë të temperaturave minimale dhe maksimale prej 1 gradë Celcius”, tha Mimoza Demiri, metereologe.

Por fillimi i javës së ardhshme do të na shoqërojë me temperatura të larta.

“Fillimin e javës që vjen deri në mesjavë pretendojmë të arrijmë në vlera 38-39 gradë, sikundër lamë në fillimin e kësaj jave, që i korrespondon me datën 7 dhe 8 korrik. Realisht e ndjejmë 42-43 gradë. Temperatura që janë relativisht më të larta përsa i përket muajit ku ndodhemi, me 4-5 gradë më tepër”, vijon Demiri.

Gjatë këtyre ditëve të nxehta këshillohet konsumimi i sa më shumë lëngjeve dhe evitimi i daljeve në orët e pikut, ku temperaturat janë shumë të larta.

Mungesa e sipërfaqeve të gjelbërta dhe ndërtimet e shumta në një qytet ndikojnë edhe më tepër në perceptimin e nxehtësisë tek njerëzit.

Top Channel