CAS-i vendos: Shqipëria merr 3 pikët ndaj Serbisë

10/07/2015 00:00

Pas 9 muajsh pritje, drejtësia është vënë në vend. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, vendosi që Shqipëria të marrë 3 pikët për ndeshjen e ndërprerë në Beograd në tetorin e shkuar.

Organi më i lartë i futbollit europian na e kishte mohuar të drejtën e marrjes së pikëve, duke na akuzuar për refuzim të daljes në fushën e lojës pas ndërprerjes.

Me këtë pikë në të dyja shkallët e drejtësisë sportive, UEFA e bëri nul ndeshjen sa i përket shifrave me një lojë fjalësh, ndërkohë që gjobiti të dyja federata me nga 100 mijë euro. Por Gjykata e Arbitrazhit të Lozanës, shkalla më e lartë dhe e fundit e drejtësisë sportive, ka rrëzuar këto dy vendime të mëparëshme.

“E drejta fitoi! Futbolli fitoi! Mendoj që fitoi jo vetëm futbolli shqiptar. E kam thënë që pas asaj ndeshje në Beograd, që para se të gjykonte Komisioni i Disiplinës në UEFA, ajo ndeshje nuk ishte e barabartë, dhe më në fund vërtetoi atë që thamë ne. Nuk bënë fajtore Shqipërinë për ndërprerjen e ndeshjes, për braktisjen e ndeshjes dhe në mënyrë simbolike, një gjë që më pëlqeu është që bënë serbët që të paguajnë edhe shpenzimet e gjyqit”, deklaroi Duka.

Ndërkohë avokati përfaqësues i Federatës Shqiptare dhe anëtari i komitetit të FSHF-së, Artan Hajdari ka shpjeguar shkurtimisht këtë vendim të zbardhur prej 74 faqesh.

“Fakt është që nuk gjendet në faj kombëtarja jonë, është gjetur përgjegjësi mënyra sesi është administruar nga ana e arbitrit loja, po kështu edhe rrethanat e sigurisë që ju i dini. Përsa i përket çështjes së banerit ne jemi gjetur fajtorë”, tha avokati Hajdari.

Top Channel