Çmimi i naftës do të ulet sërish, rënia do vijojë edhe në vitin 2016

10/07/2015 00:00

Çmimi i naftës në tregjet botërore mund të pësojë një rënie tjetër, edhe pse muajt e fundit ishte stabilizuar disi, e madje pati pësuar edhe një rritje modeste.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që kuotimi i arit të zi të jetë më i ulët, e kjo të zgjasë dhe në 2016-n. Sipas shpjegimeve të saj, tregu global nuk ka qenë në gjendje të përthithë volumin gjigant të naftës që po prodhohet tani.

Tkurrja masive e çmimit nisi verën e kaluar. Brenti i Londrës pati një rrëshkitje të thiktë vitin e kaluar nga 115 dollarë që shitej një fuçi në muajin qershor, në 45 dollarë të regjistruar në janar. Sot, kuotimi është fiksuar tek 59 dollaret për fuçi.

Rënia e çmimit i ka detyruar kompanitë e këtij sektori të rrudhin investimet në eksplorim, ndërsa situata në Detin e Veriut është nën trysni të jashtëzakonshme. 7 firmat më të mëdha globale të arit të zi kanë raportuar që të gjitha rënie të fitimit, për shkak të pikiatës së çmimeve. Muajin e kaluar, ekspertët parashikuan një tkurrje të të ardhurave nga nafta dhe gazi i Detit të Veriut në më pak se 0.1% të GDP-së përgjatë dekadave në vazhdim.

Përgjatë tre viteve të fundit, taksat e përftuara nga ajo zonë kanë rënë me 80 %. Tregu i naftës ka qenë i mbifurnizuar gjatë tremujorit të dytë të 2015-s, thotë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në raportin e saj të përmuajshëm, dhe situata paraqitet e pandryshuar edhe sot.

Pavarësisht rrudhjes së çmimit, anëtarët kryesorë të OPEK-ut vazhduan ta mbajnë në të njëjtin nivel prodhimin e naftës vitin e kaluar me shpresën që të rifitonin kësisoj terrenin e humbur në treg.

Top Channel