Vendimi i CAS-it në mediat e huaja

10/07/2015 00:00

Vendimi i CAS-it të Lozanës ka zënë hapësirë të gjerë në mediat më prestigjoze ndërkombëtare.

Britanikja “The Guardian”, në shkrimin me titull “Shqipëria fiton 3-0 pas ndeshjes së braktisur me Serbinë për çështjen e dronit”, pasi pasqyron vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit përmend deklaratën e parë të Edi Ramës në Twitter, atë të trajnerit De Biasi, por edhe reagimin e Morten Olsen, trajnerit danez, i cili shprehu pakënaqësinë për këtë vendim.

“Serbi-Shqipëri, CAS-i rrëzon vendimet e UEFA-s për ndeshjen e dronit”. Me këtë titull nis shkrimin BBC, ku bëhet një rezyme e gjithë asaj që ndodhi, por edhe e të shkuarës konfliktuale mes shqiptarëve dhe serbëve, veçanërisht për Kosovën.

Vendimi i Arbitrazhit është pasqyruar edhe nga “DailyMail” dhe media të tjera britanike, ndërsa në Itali mediat janë kujdesur të mos lënë pa përmendur Giani De Biasin.

“Serbi-Shqipëri, CAS-i rrëzon UEFA-n. De Biasi merr tri pikët në tavolinë”. Me këtë titull nis artikullin “La Gazzetta”, ku vihen në dukje edhe mundësitë e mëdha që kombëtarja kuqezi të jetë pjesë e Europianit në Francë.

Top Channel