Greqi, gati për votim paketa e shpëtimit. Ja pengesat dhe surprizat

10/07/2015 00:00

Në një fjalim emocional para grupit parlamentar të partisë së tij, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar se nëse nuk e mbështesin të gjithë qeverinë, atëherë as ai nuk do të vazhdojë përpjekjet për nënshkrimin e marrëveshjes me kreditorët.

“Morëm mandat që të sjellim një marrëveshje më të mirë në Parlament dhe jo të nxjerrim Greqinë nga Eurozona. Midis një katastrofe dhe një zgjidhjeje të keqe, kur dikush të kërkon ose paratë ose jetën, duhet të bësh më të mirën”, ka thënë Tsipras.

Ai e ka mbyllur fjalimin duke thënë: “ose vazhdojmë të gjithë bashkë, ose ikim të gjithë bashkë”; dhe është duratrokitur nga grupi parlamentar.

Por pak më vonë ka marrë goditjen e parë nga një deputete e Kozanit, e cila ka thënë se nuk do të japë miratimin e saj për propozimet qeveritare.

Gjithashtu, në një postim të çasteve të fundit në rrjetin social Twitter, ish-ministri i Financave, Yanis Varoufakis ka deklaruar se nuk do të jetë në mbrëmje për votim për arsye familjare, duke dashur të shmangë një përjashtim nga radhët e Syrizës, siç kishte paralajmëruar kryeministri Tsipras.

“Duhet të marrim parasysh interesat kombëtare afatgjata. Duhet të marrim politikisht pak kohë në mënyrë që të rigrupohemi. Europa nuk do të jetë e njëjtë tani e tutje, por kufijtë tanë historikë dhe gjeopolitikë janë në këtë Evropë. Duhet të shohim si të mbijetojmë në këto kushte asfiksuese”, deklaroi zv.ministri i Kulturës, Nikos Xydakis.

Pesë deputetë të tjerë të krahut të majtë i kanë dërguar para disa orësh kreut të qeverisë një letër me të cilën i kërkojnë të hedhë poshtë, tani në çastet e fundit, marrëveshjen me kreditorët dhe të kthejë Greqinë në monedhën kombëtare Dhrahmi, por nuk kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër.

Të pavendosur për të mbështetur qeverinë janë shprehur edhe katër deputetë të partisë Grekët e Pavarur, të koalicionit qeveritar, megjithëse lideri i tyre ka premtuar se do të jetë përkrah qeverisë.

“Mandati i fundit nga populli grek nuk është një mandat për të dalë nga euro. Greqia do të qëndrojë në Evropë, pavarësisht se disa, brenda dhe jashtë Greqisë, donin të shihnin diçka tjetër. Kjo qeveri nuk është një parantezë, ajo do të vazhdojë të bejë atë që duhet”, ka deklaruar zëdhënësi i partisë, Terence Quick.

Pas mbarimit të seancës së katër komisoneve parlamentare, e cila do t’i japë të drejtën ligjore qeverisë që të negocioje për të arritur një marrëveshje me bazë propozimet greke, projektligji do të votohet nga ligjvënësit.

Gjithësesi, Tsipras vlerësohet se merr edhe mbështetjen e partive opozitare si Demokracia e Re, Pasok dhe Lumi, që e kanë kritikuar se u vonua më kot pesë muaj duke çuar vendin buzë greminës dhe duke sjellë përfundimisht një marrëveshje edhe më të keqe se ajo që ekzistonte në janar mes kreditorëve dhe Greqisë. Ndërsa PKG dhe Agimi i Artë janë shprehur se nuk japin votën e aprovimit.

Ndërkohë, sipas ministrit të Financave, Euclid Tsakalotos, marrëveshja e re ka vërtet pika të vështira me rritje taksash dhe reforma të ashpra, por ka edhe favorizime për Greqinë si: dhënia e një frymëmarrjeje të re nëpërmjet financimit për të mos falimentuar, mundësia e një ristrukturimi të borxhit grek, apo paketa e masave dhe investimeve për zhvillimin e ekonomisë, të cilat do të nxjerrin vendin nga reçesioni.

Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 mld euro, si dhe rreth 15 mld për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrenguese thuhet se shkojnë në rreth 12 mld euro.

Top Channel