Beograd, autoritetet ndalojnë tubimet për masakrën e Srebrenicës

10/07/2015 00:00

Autoritetet në Beograd kanë ndaluar tubimet për përkujtimin e masakrës së Srebrenicës, pasi grupet e ekstremit të djathtë kërcënuan se do të sabotonin eventet.

Të shtunën shënohet 20-vjetori i masakrës, në të cilën rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë të Bosnjës u ekzekutuan nga trupat paraushtarake serbo-boshnjake.

Aktivistët e të drejtave të njeriut kishin planifikuar të mblidheshin dhe të mbanin zi për viktimat përpara selisë së Parlamentit serb.

Nga ana e saj, policia serbe iu përgjigj planeve të anti-demonstruesve, duke ndaluar të gjitha tubimet para Parlamentit për ditën e nesërme.

Ministri i Brendshëm, Nebojsa Stefanoviç deklaroi se e mori këtë vendim për të garantuar “paqe dhe siguri në të gjithë Serbinë”.

Por, nismëtari i tubimit, Dusan Masiç deklaroi se ky vendim ishte “skandaloz” dhe tregon se ku ndodhet Serbia në vitin 2015.

Ndërkohë, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç planifikon të udhëtojë në Bosnjë për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore zyrtare për Srebrenicën.

Më herët gjatë muajit, Rusia, një aleate historike e Serbisë, vendosi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së veton ndaj mocionit që e klasifikonte ngjarjen si gjenocid.

Top Channel