PD: Çmimi i naftës, në nivel rekord. Rama mban qëllimisht taksat të larta

11/07/2015 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar këtë të shtunë rritjen e çmimit të naftës në vend, që po arrin sipas saj shifra rekord, duke shkaktuar dhe më shumë kosto e varfëri tek qytetarët.

Nga ana tjetër, ka deklaruar deputeti Gerti Bogdani, qeveria vazhdon të kundrojë nga larg këtë plagë ekonomike.

“Çmimi i naftës ka arritur deri në 190 lekë litri, më i shtrenjti në rajon e më gjerë, duke ndikuar në shtrëngimin edhe më tej të jetesës. Ndërkohë, Edi Rama vazhdon me kokëfortësi te mbaja taksat e rritura mbi qarkullimin, duke refuzuar të ulë kështu çmimin e naftës”, ka thënë Bogdani.

Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend që çmimi i naftës vazhdon të rritet, ndërkohë që prej dy vitesh nuk rritën me asnjë qindarkë pagat e pensionet. “Nga këto tarifa e çmime skandaloze po përfitojnë miqtë dhe klientët e qeverisë, që pasurohen çdo ditë në kurriz të qytetarëve”, ka shtuar Bogdani.

PD i ka bërë sërish thirrje qeverisë “të heqë taksën e qarkullimit dhe të ulë kështu çmimin e naftës, që të lehtësojë jetën e shqiptarëve”.

Top Channel