Vlorë, kontroll bizneseve për kasat fiskale

07/09/2015 13:20

Rreth 80 punonjës së Tatimeve të Vlorës, të mbështetura nga policia, kanë dalë sot në terren për evidentimin e mungesave në biznese, si dhe ndëshkimin e tyre për mospajisje me kasa fiskale si dhe deklarimin e mallit.

Në mbështetje të tatimorëve ka qenë edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe inspektorët e ISHP-së, të cilët u janë bashkuar grupeve për kontrollin në terren. Drejtoresha e Tatimeve të Vlorës, Pranvera Resulaj është shprehur se ky aksion i cili nisi sot do të vazhdojë pa ndërprerje deri në ndërgjegjësimin e çdo biznesi për pajisjen me kasa fiskale dhe dhënien e kuponit tatimor.

Dhe për çdo biznes i cili i shmanget këtyre detyrimeve do të ketë dhe konfiskime të mallit. Ky aksion ka nisur me sekuestrimin e mallrave të disa subjekteve të cilat prej kohësh i shmangeshin detyrimeve tatimore. Prej një muaji në Vlorë janë regjistruar më shumë se një mijë subjekte të reja si dhe janë shtuar radhët për marrjen e kasave.

Po ashtu, rrethi i Vlorës aktualisht ka të regjistruara 6200 subjekte gjithsej dhe pritet një rritje në ditët në vijim.

Top Channel