Karvanët e refugjatëve në Preshevë, mbi 100 mijë persona kanë hyrë në Serbi

07/09/2015 16:35

Fshati Miratoc i Preshevës është kthyer në një rrugë karvanesh të refugjatëve nga Lindja e Mesme. Nga Maqedonia, ku mijëra refugjatë arrijnë çdo ditë, ata vazhdojnë për në kampin e përkohshëm në Preshevë për t’u regjistruar dhe për të vazhduar rrugëtimin e tyre.

Statistikat zyrtare thonë se rreth 100 mijë persona janë futur në Serbi deri më tani dhe refugjatët vazhdojnë të arrijnë në çdo kohë. Mbi 15 mijë fëmijë, prej të cilëve 4 mijë kanë qenë pa prindër, kanë kaluar në këtë kamp. Në rrugë dhe në radhë të gjata ata presin për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.
 
Zyrtarët e Kryqit të Kuq, thonë se kjo periudhë shënon një nga krizat më të mëdha.

“Numri i familjeve është rritur shumë në krahasim me personat e vetmuar. Kur bëhet fjalë për familje numri i fëmijëve është mjaft i madh, tre ose katër fëmijë për familje. Nëse marrim parasysh shifrat e përgjithshme numri i fëmijëve është sigurisht më i madh se 15 mijë”, shprehet Branislav Milivojevic , Kryqi i Kuq i Serbisë.

Ndihma u bëjnë aktivistët shqiptarë, por kërkesat janë aq të mëdha sa mundësitë për t’i ndihmuar të gjithë janë të vogla. Të gjithë i druhen kohëve të ftohta dhe fluksi nuk ka të ndalur.

Top Channel