Basha: Dorëheqja e Ndokës, pasojë e nismës së PD për dekriminalizimin

07/09/2015 16:45

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sërish përmes rrjetit social Facebook këtë pasdite, ku e ka konsideruar dorëheqjen e deputetit socialist, Arben Ndoka, si një sukses të parakohshëm por të drejtpërdrejtë të nismës dyvjeçare të opozitës për dekriminalizmin e Kuvendit të Shqipërisë.

Ai ka fajësuar sërish kryeministrin Edi Rama, si shkak të mosfutjes së projektligjit për dekriminalizimin në kalendarin e punimeve trejavore të Kuvendit, edhe pse kjo nismë – siç thekson ai, – është kauzë jetike për vendin, ndaj dhe nuk do të ndalet.

“Autori i inkriminimit të Parlamentit, të qeverisjes lokale, të posteve kyçe në zyrat publike, provoi edhe sot se, në këtë përpjekje të madhe, ai është penguesi dhe kundërshtuesi i saj dhe, si i tillë do të mbahet mend. Ai e bllokoi disa herë ligjin, e vonoi edhe pse u angazhua Parlamenti Europian me marrëveshjen e 24 dhjetorit, por ai nuk e ndali dot frymën”, tha Basha, duke iu referuar Ramës.

“Megjithëse edhe sot, Edi Rama nuk e futi në kalendarin e Kuvendit ligjin për dekriminalizimin, ajo po i jep frytet e veta ende pa ardhur në fuqi. Dorëzimi i mandatit nga i zgjedhuri i Edi Ramës në Lezhë, Arben Ndoka, është rezultat i drejtpërdrejtë i nismës sonë. Fryma e dekriminalizimit u rrit, u zmadhua, u bë simboli i kauzës së Partisë Demokratike dhe i qytetarëve pa dallim”, theksoi Basha në Facebook.

Duke premtuar se kjo frymë nuk do të ndalet përpara asnjë pengese dhe se dekriminalizimi do të bëhet për të çliruar vendin nga trafikantët, rrëmbyesit e vrasësit, edhe për shkak se kanë në krah partnerët e çmuar ndërkombëtarë dhe qytetarët, Basha tha se Shqipëria u përket njerëzve të ndershëm e punëtorë dhe s’mund të pranojë të sundohet nga përfaqësuesit e krimit, sepse krimi në pushtet sjell vetëm varfëri e mjerim.

Top Channel