PD: Ministri nuk mund të hetohet, për sa kohë e ndan pushtetin me bandat

07/09/2015 19:35

Ministrit i Brendshëm, Saimir Tahiri, u takua pasditen e kësaj të hëne me kryeprokurorin Adriatik Llalla, ku është diskutuar mbi akuzat e hedhura në publik nga një ish-oficer policie dhe nga opozita në drejtim të tij, ndërsa Partia Demokratike ka reaguar sërish në mbrëmje me anë të një deklarate, ku thuhet se ministri nuk mund të hetohet, për sa kohë e ndan pushtetin me bandat.

“Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri për akuzat tronditëse ndaj tij, për sa kohë si Ministër i Brendshëm e ndan pushtetin me bandat e drogës. Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, për sa kohë si Ministër i Brendshëm është në ortakëri me Habilajt e Shullazët. Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, për sa kohë si Ministër e Brendshëm thërret në zyrë Prokurorin e Përgjithshëm dhe autoritete të tjera të hetimit”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Më tej në deklaratën e PD-së thuhet se vetëm largimi i tij nga detyra dhe asistenca e ekspertëve të kualifikuar euroatlantikë, sigurojnë kushtet për një hetim të plotë dhe objektiv.

Partia Demokartike ka ngritur edhe një herë akuza ndaj ministrit të Brendshëm për lidhjet e tij me bandat e drogës.

“Mjetet e tij private, makina dhe skafi janë përdorur nga bandat e trafikut të drogës, dhe këta trafikantë kanë imunitet, policia nuk i ndalon, ata lëvizin lirshëm dhe ushtrojnë lirshëm aktivitetin kriminal”.

Partia demokratike thotë se pavarësisht bërjes publike të provave dhe fakteve tronditëse, “Tahiri nuk mban përgjegjësi, madje dhe mashtron”.

“Sot në parlament tha për avionin tjetër me drogë të nisur nga Shqipëria që u kap në vendin fqinj, se mjeti po lëvizte brenda për brenda Italisë. Por policia italiane e përgënjeshtroi duke konfirmuar se avioni ishte ngarkuar dhe ishte nisur nga Shqipëria. I diskredituar publikisht, nën akuzë për drejtimin e trafikut të drogës, ai ka guximin të shkojë në Prokurori, për të kërkuar certifikatë virgjërie. Nuk ka gomone shpëtimi për këtë ministër të zhytur në trafikun e drogës.

Në fund të deklaratës së Partisë Demokratike thuhet se ministri i Brendshëm duhet të largohet nga detyra menjëherë, e të bëhet subjekt i drejtësisë.

Top Channel