Shqipëria, me të njëjtin formacion si ndaj danezëve edhe me Portugalinë

07/09/2015 19:50

Kanë mbetur edhe pak minuta nga fillimi i takimit të shumëpritur mes Shqipërisë dhe Portugalisë, që do të zhvillohet duke nisur nga ora 20:45 në “Elbasan Arena”, ndërsa janë publikuar edhe formacionet zyrtare, me të cilat dy ekipet do të zbresin në fushë.

Për Shqipërinë, tekniku italian Gianni De Biasi ka vendosur të hedhë në fushë të njëjtin formacion si ndaj Danimarkës, përpara 3 ditësh në Kopenhagen, duke aktivizuar në portë Berishën; në mbrojtje (nga e djathta në të majtë) Xhimshiti, Cana, Ajeti, Agolli; në mesfushë Xhaka, Kukeli, Abrashi, ashtu sikurse edhe dyshja Gashi-Lenjani, të cilët do të jenë më të tërhequr gjatë fazës mbrojtëse, por do të mbështesin në fazën sulmuese Cikalleshin e vetëm në sulm.

Në dispozicion të trajnerit De Biasi do të jenë sërish Shehi e Hoxha, portierë; Lila, Rrahmani, Aliji, mbrojtës; Basha, Memushaj, Kaçe, Roshi, mesfushorë dhe sulmuesit Sadiku, Salihi e Balaj.

Sa i përket Portugalisë, ndryshe nga takimi i parë në vendin luzitan, ku Shqipëria triumfoi me gol të Bekim Balajt, këtë herë kombëtarja nga gadishulli Iberik vjen me shumë ndryshime, e mbi të gjitha me asin e saj kryesor, Cristiano Ronaldo.

Në portë, për luzitanët do të zbresë Rui Patricio; në mbrojtje Eliseu, Carvalho, Pepe dhe Vieirinha; në mesfushë do të luajnë Veloso, Danilo dhe Nani, ndërsa në sulm do të zbresin 3 lojtarë: Bernardo e Danny do të furnizojnë me topa veç të tjerash edhe qendërsulmuesin Ronaldo.

Top Channel