2 fitore na çojnë në Francë

08/09/2015 14:50

180 minutat e fundit të këtyre eleminatoreve do të jenë vendimtare për kualifikimin direkt të Kombëtares tonë në Francë 2016. Humbja e të hënës në “Elbasan Arena”, ka bërë që kuqezinjtë t’i kenë vetë në dorë mundësitë e kualifikimit, kjo për faktin se ne kemi edhe 2 ndeshje për të zhvilluar, ndërsa Danimarka, rivali ynë direkt për vendin e dytë ka vetëm një.

Në rast se nordikët fitojnë në tetor ndaj Portugalisë, Shqipërisë së De Biasit do t’i duhen 2 fitore në mënyrë që të sigurojë vendin e dytë dhe të lërë për në Play Off kombëtaren daneze. Nëse sfida që do të zhvillohet në Braga mes Portugalisë dhe Danimarkës përfundon në barazim, atëherë kuqezinjve do t’u mjaftonin 4 pikë që të siguronin biletën për të shkuar qershorin e ardhshëm direkt në Francë.

Rasti i tretë do të jetë nëse danezët munden nga përfaqësuesja e Santos në ndeshjen e 8 tetorit. Pas këtij rezultati, Shqipërisë do t’i mjaftonte një fitore ndaj Serbisë, apo dhe 2 barazime në ndeshjet e fundit që të ngjitej në vendin e dytë dhe të kualifikohej direkt, për herë të parë në një kompeticion europian.

Rasti i fundit, sigurisht që do të jetë play off-i, por pas ndeshjeve të së hënës situata është komplikuar dhe Shqipëria nuk ndodhet më në vendin e parë. 

Klasifikimi i skuadrave të treta më të mira të 9 grupeve kryesohet nga  Kroacia, Ukraina dhe Hungaria me 12 pikë, ndërkohë që Shqipëria e cila ndodhet e katërta me 11 pikë, rrezikohet nga Rusia me 10 pikë dhe Republika e Irlandës.

Nëse kuqezinjtë tanë nuk sigurojnë kualifikimin direkt, atëherë ata do të jenë të detyruar të luajnë në “play-off”, një fazë e vështirë kjo pasi në garë deri tani për të shkuar në Francë janë edhe Izraeli, Turqia dhe Estonia.

Top Channel