Danezët: Faleminderit Portugali!

08/09/2015 15:50

Humbja 0-1 ndaj Portugalisë në minutat e fundit është pasqyruar në të gjithë median europiane.

Në një artikull dedikuar sfidës në “Elbasan Arena”, e përditshmja italiane “La Gazzetta Dello Sport” shkruante se Ronaldo dhe shokët e tij morën një fitore të pamerituar. Gazetarët italian vlerësonin në maksimum lojën e tanëve, të cilëve tashmë u ka mbetur shija e hidhur e dorëzimit pas një ndeshje vërtetë shumë të mirë; mbrojtje perfekte, me një pjesë të dytë kurajoze, kundër një skuadre superiore në paga, emra dhe kualitete, por inferiore për sa i përket lojës me zemër dhe pasion.

Gjatë artikullit, gazetarët italian kanë pikasur mbrojtjen tonë si një nga repartet më të mira, e cila edhe me lojtarë të rinj apo pa skuadër ishte shumë solide duke penguar Ronaldon apo Nanin të bënin lojën e tyre më të mirë.

Ndërkohë, disfata e parë e kuqezinjve i ka shërbyer sigurisht kombëtares daneze, e cila tashmë e sheh veten e vetme në vendin e dytë. Goli i Velosos në fundin e ndeshjes bëri që pjesa më e madhe e mediave nordike të falenderonin përfaqësuesen e Portugalisë, me të cilën do të ndeshet pas një muaji.

“Portugalia ndihmon Danimarkën” , është titulli kryesor i “Extrabladet”, e cila në vazhdim të shkrimit thekson se sfida mes këtyre dy përfaqësueseve në tetor është një finale. Ndërsa “BT online” shkruan: Faleminderit Portugali, mban gjallë shpresat e Danimarkës për kualifikim në Euro 2016. Pavarësisht humbjes, kombëtarja jonë ka marrë vlerësime të mira edhe nga media spanjolle e cila thekson se Shqipëria e De Biasi-t është shumë pranë historisë.

Top Channel