Prania e ruse në Siri, NATO shpreh shqetësim

09/09/2015 17:20

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësimet pas publikimit të informacioneve se Rusia ndoshta po transporton ndihma ushtarake në Siri.

“Po, unë jam i shqetësuar nga informacionet se Rusia mund të ketë zhvendosur personel ushtarak dhe forca ajrore në Siri”, tha Stoltenberg në një sesion pyetje-përgjigje në “Facebook”. “Çdo mbështetje ushtarake për regjimin e Assad-it mund të përshkallëzojë më tej konfliktin”.

Komentet e Stoltenbergut u bënë pak orë pasi Bullgaria e mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët ushtarakë rusë të nisur për në Siri. Autoritetet bullgare thanë se kanë shkak që të besojnë se “ngarkesa e deklaruar nuk përputhej me të vërtetën”.

Kremlini u kundërpërgjigj dhe kërkoi që Bullgaria të shpjegojë se pse i kishte ndaluar fluturimet e tij me ndihma për në Sanaa. Kremlini tha se nuk e ka fshehur kurrë faktin se dërgon pajisje ushtarake në Siri për “të luftuar terrorizmin”.

Një zyrtar i lartë i Moskës paralajmëroi për kundërpërgjigje. Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm rus, Bogdanov theksoi se pjesëtarë të ushtrisë ruse ndodhen në Siri, për ta shkolluar ushtrinë e Assad-it si të përdorë armë ruse. Sipas tij, Rusia vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Moska është aleate e ngushtë e qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad në Siri. Rusia, sipas të dhënave, ende nuk ka dërguar trupa luftarake në zonën e konfliktit. Por ajo e ka intensifikuar rolin e saj si ndërmjetëse në luftën civile në vend.

Por shtete anëtarë të NATO-s, duke përfshirë edhe SHBA-të, që udhëheqin koalicionin ushtarak kundër “Shtetit Islamik” në Siri dhe në Lindjen e Mesme, kanë paralajmëruar se ndërhyrja e Rusisë mund ta thellojë më tepër krizën, si pasoje e të cilës deri tani kanë humbur jetën më shumë se 200.000 vetë.

Top Channel