Imazhe dramatike nga Hungaria, refugjatët mbahen si në vathë

11/09/2015 17:50

“Në Hungari, refugjatët po i trajtojnë si kafshë”, thotë një grua austriake, e cila ka filmuar momentet kur njerëzve që përmes rrugëtimit të tyre të rrezikshëm kanë shpresuar t’i largohen vuajtjeve, iu hidhen sanduiç të mbështjellë me qese nga police, me maska kirurgjikale në fytyrë.

E tronditur nga ajo çfarë përjetoi autorja e videos, i bëri thirrje shteteve europiane të mos ngurojnë më, por të hapin kufijtë e tyre. Drejtues të “Human Rights Ëatch” pohojnë se hungarezet i mbajnë refugjatët si “bagëtitë në vathë”.

Filmimet publikohen në kohën kur ashtu siç edhe u profetizua, në takimin me homologun gjerman e atë të Luksemburgut, mbajtës të Presidencës së radhës së BE-së, ministrat e Jashtëm të katër shteteve qendrore europiane shfaqën kundërshtinë e tyre ndaj sistemit të kuotave të propozuara nga Komisioni Europian.

“Jemi të bindur se ne si shtete, duhet ta ruajmë kontrollin mbi numrin e personave që mund të pranojmë e t’i ofrojmë mbështetje, deklaroi kryediplomati çek, Lubomir Zaoralek, në konferencën e përbashkët për shtyp me krerët e diplomacive hungareze, polake e sllovake.

Komisioni Europian kërkon shpërndarjen e 120.000 emigrantëve shtesë në vit, mes 28 vendeve anëtare të bllokut, një rritje e ndjeshme e shifrës prej 40.000 vetësh të caktuar në muajin Maj.

Por idenë e kuotave të detyrueshme, vendet në fjalë që njihen ndryshe edhe si “katërshja e Vizegradit”, nuk e pranojnë.

Sipas planit të Brukselit, pjesën dërrmuese të refugjatëve do ta marrë Gjermania, e pasuar nga Franca, Spanja. Ndërsa me formulën e përllogaritur në bazë të madhësisë se vendit, fuqisë ekonomike e historikut të pranimit të emigrantëve në të kaluarën, Polonia duhet të pranojë më shumë të ardhur se vende ekonomikisht më të fuqishme se ajo siç janë Austria, Suedia, Belgjika apo Finlanda.

Top Channel