Kryeministri hungarez: Kush kalon kufirin do të arrestohet

11/09/2015 21:50

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka paralajmëruar se personat që do të kalojnë kufirin e vendit të tij do të arrestohen, masë kjo që do të hyjë në fuqi duke filluar nga java e ardhshme.

Orban tha se, emigrantët që kanë hyrë në Hungari në javët e fundit i janë rebeluar policisë së vendit dhe tani është e nevojshme që rendi të rivendoset.

Orban paralajmëroi gjithashtu se, ligje më të ashpra kundrejt emigracionit do të fyjnë në fuqi duke filluar nga 15 shtatori dhe kushdo që kalon kufirin ilegalisht duhet të presë arrestimin.

Ai vlerësoi policinë, “që bëri një punë të mrekullueshme pa përdorur në asnjë rast forcën përballë emigrantëve”, që sipas tij refuzonin bashkëpunimin me forcat e rendit.

Reagimi i kryeministrit vjen vetëm pak momente pas publikimit të një videoje ku emigrantët shfaqeshin të mbyllur në një ambjent në qytetin Roszke e ku ushqimi u hidhej nga jashtë si të ishin kafshë.

Autoritetet në Hungari janë përballur me rreth 150 mijë emigrantë që kanë hyrë në vend që nga fillimi i vitit, për të arritur më pas në vendet e BE si Gjermania dhe Austria.

Tensionet mes forcave të rendit dhe refugjatëve kanë qenë të shpeshta, sidomos në zonat kufitare dhe në stacionet hekurudhore.

Top Channel