Preshevë, krijohet Asociacioni i Komunave Shqiptare; zemërohet Beogradi

12/09/2015 16:35

Deputetët e kuvendeve komunale të Luginës së Preshevës kanë miratuar Asociacionin e Komunave Shqiptare. Në një kuvend të organizuar për të kërkuar të drejtat e tyre është shpallur asociacioni, duke kërkuar barazi me të drejtat e serbëve në Kosovë, të pakënaqur edhe që për ta nuk është biseduar asnjëherë në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë mori këtë vendim, themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Shqiptare në Luginën e Preshevës, bazuar në rrethana të caktuara kombëtare e ndërkombëtare në Serbi dhe në ndryshimin e statutit të saj në Kosovë. Gjithnjë duke u bazuar mbi parimin e reciprocitetit, kuvendi i Asociacionit do të marrë vendimin për ndryshimin e statutit të shqiptarëve, konform vendimit të referendumit të datave 1 dhe 2 mars 1992”, deklaroi Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa tha se kjo është një ditë historike për shqiptarët në Serbi dhe sipas tij, kjo do të hapë rrugë të reja jo vetëm për politikën në Prishtinë e Tiranë, por edhe në aspektin ndërkombëtar.

“Ne jemi ata që po bartim në lëkurën tonë diskriminimin e përditshëm. Çdo ditë jemi nën trysninë e vazhdueshme të deklaratave të qeveritarëve të Beogradit, që nuk kanë bërë asnjëherë që shqiptarët të ndihen komodë e të barabartë me të tjerët”, tha Mustafa.

Por jo të gjithë shqiptarët morën pjesë në këtë ceremoni për të cilën Beogradi zyrtar është shqetësuar dhe qeveria ka deklaruar se do ta shikojë me mençuri dhe qetësi, por nëse duhet përdorur forca, ajo nuk do të mungojë.

“Organizimi për themelimin e asociacionit duhej bërë me konsensus dhe jo të përçarë, sepse dyshojmë për implementimin e këtij vendimi dhe nëse edhe në të ardhmen do të jemi të përçarë”, tha Destan Halimi, i partisë Bashkimi Demokratik i Luginës.

Këtë mbledhje e kanë përcjellë të gjitha mediat serbe pasi për Serbinë ky paraqet një konflikt të ri. Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit, si një nga partitë më të mëdha, e ka bojkotuar këtë proces duke arsyetuar se nuk është i përgatitur siç duhet. 

Top Channel