Hungari, tjetër rekord refugjatësh nga Serbia

13/09/2015 00:00

Numri i emigrantëve që hyjnë në Hungari nga Serbia shënoi një rekord të ri, pikërisht në kohën kur tensionet në Europën Lindore mbi krizën e refugjatëve janë të larta. Mbi 4000 vetë kaluan kufirin mes dy vendeve të shtunën.

Budapesti, i kritikuar për trajtimin e bërë refugjatëve, po përgatitet që kufirin ta mbyllë plotësisht e sipas zotimeve të kryeministrit, Viktor Orban, klandestinët do të arrestohen. Vendi është shumë pranë përfundimit të barrierës së dytë, 4 metra të lartë, përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

Urdhri i kreut të ekzekutivit hyn në fuqi të martën. Mbi 4000 ushtarë janë dërguar në mbështetje të policisë kufitare për zbatimin e tij.

Zyrtarët përllogarisin që, deri tani këtë vit, në Hungari të kenë kaluar nga Serbia më shumë se 175 mijë emigrantë. Pavarësisht ashpërsisë së hungarezëve, të paktën një lajm të mirë për refugjatët atje ka: sipas korrespondetit të BBC-së, Nick Thorpe, më në fund në kampin e pritjes së Roskes po krijohet infrastruktura humanitare për një sistemim të përkohshëm, disi më dinjitoz, të të mbërriturve.

Pamjet filmike të publikuara të premten, ku shiheshin rojet duke u hedhur ushqim emigrantëve në këtë kamp, si dhe kritikat, se refugjatët në këtë vend po trajtohen si kafshë, shkaktuan indinjatë aq të madhe sa, një ditë më parë, Kancelari austriak Ëerner Faymann hoqi paralele mes trajtimit që u bëhet refugjatëve në Hungari dhe trajtimin që u bënin nazistët hebrenjve.

“T’i ngjeshësh refugjatët nëpër trena e t’i çosh në vende krejtësisht të ndryshme, nga ato që besojnë se po shkojnë, është diçka që risjell në kujtesë kapitullin më të errët të historisë së kontinentit”, tha ai, në një intervistë për “Der Spiegel”, duke aluduar kështu për mënyrën sesi mijëra hebrenj u transportuan në 1944-n në kampin famëkeq të Aushvicit.

Hungaria reagoi përmes ministrit të Jashtëm, Peter Szijjarto, i cili i quajti komentet e Kancelarit austriak “shpifje”.

Top Channel