Refuzimi i refugjatëve, NYT: Vendet e Lindjes janë ende të varfra

14/09/2015 00:00

Edhe pse kuotat e refugjatëve në vendet lindore janë shumë herë më të ulëta, në krahasim me vendet e Europës Perëndimore dhe Qendrore, sërish ish-vendet komuniste po i bëjnë një rezistencë të fortë kësaj çështjeje.

Sipas një analize të “New York Times”, gjërat janë më të thella sesa një tekë e këtyre shteteve për të mos u mbipopulluar. Prestigjiozja amerikane shkruan se, qëndrimi i tyre reflekton një lëvizje të fuqishme të ekstremit të djathtë, nacionalizmin, paragjykimet racore e fetare, si dhe sigurisht flet për një pasiguri ekonomike.

Kohët e fundit, udhëheqësit e këtyre qeverive argumentojnë se, nuk janë në gjendje të përballojnë marrjen e refugjatëve, ndryshe nga Perëndimi që është më i pasur, sipas tyre.

“Njerëzve u duhet kujtuar se Polonia ka qenë në tranzicion nga periudha e komunizmit”, u shpreh Lech Valesa, i cili udhëhoqi lëvizjen e pavarësisë së vendit. Në një intervistë, vijon të shprehet se “pagat dhe shtëpitë janë shumë herë më të vogla se ato në Perëndim. Njerëzit nuk besojnë se kanë diçka për të ndarë me emigrantët. Sidomos kur ata e shohin mirë se, emigrantët janë shpesh të veshur mirë, ndonjëherë më mirë se shumica e polakëve”, mbylli deklaratën ai.

Për “New York Times”, kjo është evidenca e fundit kulturore e politike, ndaj dhe ndarjet midis Lindjes dhe Perëndimit vazhdojnë. Kur u anëtarësuan në Bashkimin Europian, si vende ish-komuniste, këto kombe trumpetuan për të ashtuquajturat vlera europiane, duke përfshirë tregjet e hapura, qeveri transparente, respekt për një media të pavarur, kufijtë e hapur, diversitet kulturor, mbrojtje të pakicave, si edhe refuzim të ksenofobisë.

Analiza e prestigjiozes “New York Times” shkruan se, realiteti është  krejt ndryshe. Oligarkët, nepotizmi dhe korrupsioni endemik mbeten pjesë e jetës së përditshme në vendet lindore; liria e shtypit është në rënie, ndërsa nacionalizmi në rritje dhe lëvizjet politike populiste kanë shtuar tensionet kundër emigrantëve.

Por, të paktë janë emigrantët që zgjedhin Europën Lindore, duke preferuar të shkojnë në Gjermani apo Skandinavi, ku përfitimet e mirëqenies sociale janë më të larta, mundësitë e punësimit më të mëdha dhe komunitetet e emigrantëve janë të themeluara mirë.

Top Channel