Kroacia ngre traun për refugjatët, u lejon kalimin në Europë

16/09/2015 08:40

Mbyllja e kufirit të Hungarisë me Serbinë i ka shtyrë refugjatët të mendojnë për rrugë të reja kalimi drejt destinacioneve të tyre në Bashkimin Europian dhe sot, një grup i parë njerëzish iu afrua kufijve të Kroacisë.

Rreth 150 azilkërkues kanë hyrë gjatë ditës në këtë shtet anëtar të Bashkimit Europian nga Serbia.

Edhe pse fillimisht ishin shprehur se nuk do ta lejonin hyrjen e tyre, autoritetet kroate tani thonë se janë gati t’i presin të ardhurit ose t’i drejtojnë kudo që duan të shkojnë. Destinacioni i preferuar i refugjatëve, shumica e të cilëve janë sirianë, vazhdon të mbetet Gjermania.

“Dëgjuam se Hungaria është mbyllur dhe policët na thanë të vijmë këtej. Nuk e dimë fare çfarë duhet të bëjmë. Mos duhet të marrim gjë ndonjë anije?”.

Pyetja naive e refugjatit 35-vjeçar Amadou nga Mauritania, të intervistuar prej një gazetari të AFP-së, tregon qartë se mes këtyre njerëzve mbizotëron pështjellimi. Serbia, ndërkohë, ka ankesa për hungarezët.

“Nuk na u tha kurrë zyrtarisht se kufiri do të mbyllej”, deklaron ministri serb përgjegjës për emigrantët, Aleksandar Vulin. “Kontaktet midis zyrtarëve të të dy vendeve kanë qenë minimale. Ne me ata po komunikojmë nëpërmjet gardhit”, shtoi ai.

Budapesti, sakaq, nuk ndalet e thotë se barrierën e telave me gjemba do ta zgjasë deri në kufirin me Rumaninë, e cila reagoi menjëherë me komentet se, një hap i tillë do të cënonte “frymën europiane” të bashkëpunimit.

Beogradi ka mbajtur një qëndrim goxha të relaksuar ndaj emigrantëve, që hynin në tokën serbe nga Maqedonia. Autoritetet atje e kishin kuptuar shumë mirë që këta njerëz nuk vijnë për të qëndruar; por muri i Hungarisë dhe kriminalizimi që po i bën kalimit jo të ligjshëm të kufirit, e ka frenuar shumë fluksin e dyndjeve për në anën tjetër.

Nëse kalimi në Hungari për refugjatët bëhet i pamundur, atëherë numri i tyre brenda Serbisë do të fillojë të rritet, duke sfiduar jo vetëm kapacitetin e vendit për t’u përballuar me azilkërkuesit, por edhe tolerancën dhe ndjeshmërinë e treguar deri më tani nga qytetarët serbë.

Top Channel