Dekriminalizimi, Berisha: Gabim shkrirja e komisionit; Rama: Komisioni, i dështuar

17/09/2015 00:00

Duke folur në Kuvend mbi çështjen e dekriminalizimit, ish-kryeministri Sali Berisha tha se “me asnjë lloj mekanizmi nuk mund të shkrihet një komision i votuar në Parlament” dhe se bëhet fjalë për një “akt të shëmtuar”.

“Nuk duhej lejuar në asnjë mënyrë shkrirja e Komisionit të Dekriminalizimit. Ky është një akt shumë i rëndë dhe me këtë akt është vrarë besimi. Kemi të bëjmë me një akt të shëmtuar, që vetëm një njeri në historinë politike të këtij vendi ia ka lejuar vetes ta bëjë: Edi Rama”, deklaroi Berisha.

“Për shkak të lidhjeve të tij të krimit, Rama kërkon kriminalizim të Parlamentit”, shtoi ish-kreu i Partisë Demokratike.

Komisioni për dekriminalizimin kishte në mbledhjen e së mërkurës një nga momentet e veta kritike. Në rendin e ditës ishte diskutimi i projektit të opozitës për dekriminalizimin, por prezantimi nga qeveria i një drafti paralelel bëri që mazhoranca të vërë në pikëpyetje ekzistencën e mëtejshme të komisionit.

Kryeministri Rama, duke reaguar ndaj deklaratës së parardhësit të tij ka thënë se, shkrirja e komisionit ka ardhur pasi nuk ka bërë asgjë.

“Shkrimë një komision që nuk ka bërë asgjë. Ato mbledhje ishin vetëm propagandë”, ka thënë Rama.

Duke e vënë theksin tek zotimi i përbashkët për t’ju referuar ligjit Severino, Rama ka nënvizuar se, qeveria është konsultuar me ekspertë të ardhur enkas nga Italia.

“Por unë s’kam pritur nga ju që të pranoni një produkt të përbashkët”, ka thënë ai duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.

“Ka një draft të PD dhe një nismë të qeverisë dhe procesi hyn në rrugën normale të ballafaqimit të dokumentave. Ne jemi të gatshëm të ballafaqojmë çdo gjë brenda kornizave të pranueshme, por jo shpikje të SHQUP-it”, ka vijuar kryeministri.

Ai akuzoi PD se është kapur pas një historie, ndërsa mazhoranca është sipas tij e gatshme ta votojë ligjin “dhe do ta votojë”.

“Ne do ta bëjmë këtë me vullnet të plotë. Ne kemi parashikuar mbi 70 vepra penale, ju mbi 30. Por ju s’besoj se e keni problem këtë”, ka thënë Rama.

Ai ka vlerësuar se, “baza për konsensus është më e gjërë se asnjëherë, referuar drafteve”.

“Por korniza jonë nuk lëviz. Tani jemi në kushte për punë, sepse deri dje ishim në kushte propagande”, ka përfunduar Rama.

Para kryeministrit ishte ministrja për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj që sqaroi motivet e vendimit të qeverisë që çojnë në shkrirjen e komisionit. Një nga pikat e forta të ministres Felaj ishte tejkalimi i afatit të funksionimit të këtij komisioni, ngritja e të cilit u ra dakord në dhjetor 2014.

“Mbi bazën e rezolutës së dhjetorit, doli vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit ad hoc. Në vendim thuhej shprehimisht se, ky komision brenda qershorit do të prodhonte produkt për Parlamentin. Që do të thotë se në Parlament sot duhet të kishim grafiqe që t’i diskutonim. Këtu ku kemi arritur është shkelur afati”, deklaroi Felaj, sipas të cilës edhe mbledhjet e komisionit kanë qenë fare të pakëta.

“Ne nuk mund t’i drejtohemi rregullores për pjesë që na pëlqejnë dhe të mos i drejtohemi për ato që nuk na pëlqejnë”, vijoi ministrja, e cila nënvizoi se, “në atë tryezë bëhet vetëm propagandë”.

Felaj argumentoi më tej se, “qeveria me miratimin e projektligjit ka ushtruar të drejtën që i jep Kushtetuta për të ushtruar nismën ligjvënëse”.

Ajo shtoi se në variantin e qeverisë është respektuar pikë për pikë ligji Severino, sic njihet ndryshe ligji analog i miratuar në Itali.

Ndaj ministres Felaj reagoi deputeti Oerd Bylykbashi që akuzoi direkt kreun e ekzekutivit që prishi konsensusin.

“Konsensusi, zoti ministre, është ai që përmban nenet dhe nuk ka nevojë të vijë qeveria e të na bëjë çensorin e Parlamentit dhe të na tregojë se si po zbatojmë marrëveshjen e dhjetorit. Kështu që ta harrojë qeveria se mundet që me vendimet e saj të na tregojë se si funksionon Kushtetuta”, tha Bylykbashi.

Sipas tij, “kjo është vijimi i arrogancës qeveritare”.

“Të gjithë e dinë që komisioni ka muaj që është ngritur, por tentativat për ta bllokuar kanë qenë të vazhdueshme. Akti i djeshëm tregon qëllimin që mazhoranca ka karshi këtij komisioni”, vijoi Bylykbashi.

Ai theksoi se opozita në këtë komision ka bërë të qartë qëndrimin e saj për këtë çështje, bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Amendamentet nuk u miratuan para 21 qershorit sepse mazhoranca nuk donte, sepse donte të kandidonte në zgjedhje persona me të shkuar kriminale. Na duhet një ligj karantinë, për t’i vënë në karantinë këta persona”, tha Bylykbashi.

Ai akuzoi qeverinë se synon të miratojë një ligj që nuk do të arrestojë ata kriminelë që ajo dëshiron të fusë në Parlament.

Top Channel