Integrimi i vështirë i emigrantëve në Gjermani

17/09/2015 12:50

Nuk është hera e parë që Gjermania përballet me flukse refugjatësh, por koha tregon se integrimi i tyre në shoqërinë e vendit ka qenë një sfidë e vërtetë. Grupet e origjinave të ndryshme dallojnë kryesisht tek arsyet që i kanë shtyrë të lëvizin drejt Gjermanisë.

Shumica e punëtorëve emigrantë i janë drejtuar deri më tani ekonomisë më të fuqishme të botës për të punuar kryesisht në profesione me kualifikim të ulët. Në pjesën dërrmuese të rasteve, niveli arsimor, thonë mediat vendase, lë shumë për të dëshiruar, çka vlen sidomos për grupin e madh të emigrantëve me origjinë turke.

Duke qenë se nuk janë marrë masa të vërteta për integrimin, shpesh këta njerëz nuk kanë arritur as në brezin e dytë dhe të tretë të kompensojnë mungesën e arsimimit të brezit të parë. “Deutsche Welle” kujton se me iranianët që shkuan në Gjermani pas rënies së Shahut në vitin 1979, situata ka qenë ndryshe. Ata i përkisnin përgjithësisht shtresave të larta, kishin një arsim relativisht të mirë, një gjendje ekonomike jo të keqe dhe për shkak të aftësive personale e patën mjaft më të lehtë integrimin. Sipas ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, deri në 20% e refugjatëve të rritur që kanë shkuar në Gjermani, janë analfabetë.

Një nga konkluzionet kryesore të njohësve të mirë të situatës në vend është se integrimi i refugjatëve lidhet me punën që bëjnë. Sipas disa analistëve, fakti që shumica e refugjatëve vijnë nga vende islamike, nuk është domosdoshmërisht një pengesë për integrimin e tyre në shoqërinë gjermane. Këta njerëz madje hedhin idenë që po të arrijë të krijohet mbi bazën e kushtetutës aktuale një islam europian në këtë vend, atëherë vala e tanishme e refugjatëve do të rezultojë një mundësi e madhe dhe mjaft e mirë për Gjermaninë.

Top Channel