Dekriminalizimi, debate Rama-Berisha në Kuvend

17/09/2015 00:00

Opozita e ka konsideruar projektligjin e propozuar një ditë më parë nga Qeveria si shkelmim të konsensusit për dekriminalizimin.

Ish-kryeministri Berisha ka ngritur i pari shqetësimin e opozitës se mazhoranca po i ikën marrëveshjes së arritur muaj më parë, që procesi ligjor për pastrimin e politikës dhe administratës publike nga personat e inkriminuar, të bëhej përmes një komisioni të posaçëm të ngritur për këtë çështje nga Kuvendi.

“Nëse ju ecni duke varrosur konsensusin, të jeni të bindur se ne varrozim demokracinë në këtë vend. Të jeni të bindur se ne varrozim stabilitetin dhe të ardhmen e këtij vendi. Akti është një akt i shëmtuar, i çqytetëruar, është një akt që vetëm një njeri në historinë politike të këtij vendi i ka lejuar vetes që të bëjë për të dytën herë dhe ky është Edvin Kristaq Rama. Ky është njeriu, që për shkak të lidhjeve të tij me krimin, bën gjithçka për të kriminalizuar këtë shoqëri dhe ka frikë dhe tmerr. Pse e ka bërë ky burracak këtë akt? E ka bërë sepse e ka tmerr testin e drogës”, deklaroi Berisha.

Kryeministri Rama u është rikthyer replikave me paraardhesin e tij pas disa seancave që i kishte shmangur, çka i është nënvizuar edhe nga Berisha kur pergjigjen për këtë çështje, që opozita thotë se e ka kauzë, e ka kërkuar prej tij.

Edi Rama deklaroi se mazhoranca e ka seriozisht me këtë proces, kur për këtë solli si argument faktin që drafti i qeverisë përfshin dyfishin e veprave penale për marrjen e posteve publike, krahasuar me propozimet e opozitës.

“Ku është problemi? Ka një draft të Partisë Demokratike, ka një nismë të Qeverisë, të cilës do t’i bashkangjiten deputetet e shumicës për ndryshimet kushtetuese, referuar këtij procesi dhe procesi hyn në rrugën normale të ballafaqimit të dokumentave. Shpikje SHQUP-i harrojeni se mund të pranohen nga ne! I doni për propagandë, i doni për hallin që keni se nuk dini me çfarë të merreni dhe jeni kapur pas kësaj historie dhe e tirrni pafund, ndërkohë që ne jemi 100 përqind të gatshëm që ta votojmë dhe do ta votojmë. Doni apo nuk doni ju!”, u përgjigj Rama.

“Le ta bëjë! Por nuk ka ndërmend që ta bëjë! Gjithçka po e bën për ta bllokuar, për ta fshirë që kriminelët të vazhdojnë të jenë në listat e tij për deputet”, u kundërpërgjigj kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

“Flisni për shqiptarët, ndërkohë që shqiptarët pas dy vjetësh nuk përtuan t’u japin saktësisht të njëjtën sasi shpullash që ju dhanë dy vjet më parë. Kjo ju bën të reflektoni ndopak?! Ju bën të reflektoni se shqiptarët nuk mund t’i trajtoni më si kope, se e keni edhe çobanin të rraskapit fare, që nuk rri më dot në këmbë, jo më të marrë një kope nga mbrapa?!”, reagoi Rama.

Top Channel