Dekriminalizimi, Meta: Duhet proces gjithpërfshirës

18/09/2015 12:50

Ilir Meta është optimist për gjetjen e konsensusit mazhorancë-opozitë për dekriminalizimin, jo vetëm sepse draftet e Qeverisë dhe PD kanë një bazë të gjerë përputhshmërie.

Zgjidhja përfundimtare për kreun e Parlamentit mund të jenë ndërkombëtarët, garancia për të shmangur atë që ai quajti “taktikat e vogla politike për interesa të ngushta partiake”.

Në këtë cilësim ai nuk bëri asnjë përjashtim prej dy forcave më të mëdha politike. Ky nënvizim i vlejti Ilir Metës për të shprehur qëndrimin se drafti final duhet të miratohet me konsensus dhe të jetë gjithëpërfshirës, duke kundërshtuar në këtë formë zëra të aleatëve të tij në qeverisje.

“Çdo përpjekje për ta paraqitur si nismë të thjeshtë; ‘ja ku është ligji doni apo s’doni’, është një lojë që bëhet me publikun dhe për kredo afatshkurtër politike sesa një përpjekje serioze për t’i shkuar me themel  këtij procesi”, tha Meta.

Ilir Meta komentoi deklaratën e ambasadorit të SHBA në OSBE që foli për nevojën e shkëputjes së influencave kriminale në qeverisjen shqiptare, duke e nisur nga nënvizimi i faktit se është kjo organizatë që ndihmon Kuvendin për hartimin e kodit të etikës, për mënyrën sesi duhet të flasin parlamentarët shqiptarë. Thënë këtë, kreu i Kuvendit theksin e vuri tek vijimi i bashkëpunimit të ngushtë me SHBA.

“Padyshim që ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të bashkëpunojnë edhe kur na mbështesin edhe kur na kritikojnë”, u shpreh Meta.

Më i ashpër ishte reagimi i kreut të Kuvendit për raportin jozyrtar të zyrës së OSBE-së në Tiranë, që qarkulloi pak ditë më parë në mediat shqiptare, ku ai ishte politikani për të cilin dokumenti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim fliste jo vetëm për interesa në biznese, por edhe për lidhje me aktorë të mafias.

“Sa i takon thashethemeve mendoj që ka shumë njerëz që kanë kohë për t’u marrë me to. Unë jam një politikan që asnjëherë nuk kam patur kohë për gjëra të tilla. Sa i takon karagjozllëkut në fjalë, ambasadori ka kërkuar falje. Nuk mendoj se ja vlen të merremi më me këtë çështje” u shpreh kreu i Kuvendit.

As deputetin e tij, Spartak Braho, që çuditi jo pak kur tha se ka përdorues të drogës nga të dyja krahët e politikës shqiptar, Ilir Meta nuk e kurseu.

“Së pari zoti Braho është zoti Braho, unë kam respekt për përvojën e tij. Do të doja të kisha respekt edhe për formimin e tij juridik”, deklaroi Meta.

Top Channel