Refugjatët sirianë, Peleshi: Nuk ka kërkesë konkrete, por po përgatitemi

20/09/2015 12:00

Qeveria shqiptare ka pranuar zyrtarisht se ka nisur përgatitjet nëse do t’i kërkohet pritja e refugjatëve sirianë.

Top Channel të shtunën, duke iu referuar dy burimeve qeveritare, raportoi se nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi është zhvilluar një mbledhje me 7 ministra pikërisht për këtë çështje. Nëpërmjet  një bisede telefonike me Top Channel zëvendëskryeministri Peleshi, mesditën e së dielës dha detajet mbi arsyet e mbajtjes së mbledhjes.

“Dua t’ju sqaroj, së pari nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë fenomen që pritet të ndodhë apo për të cilin kemi ndonjë të dhënë se pritet që mund të ndodhë. Është e vërtetë që ne kemi pasur një takim me disa prej ministrave relevantë, në fakt për të qenë të përgatitur për çdo eventualitet. Por dua ta ritheksoj që nuk kemi informacione konkrete dhe të dhëna se në Shqipëri mund të ketë një fluks refugjatësh në ditët në vazhdim. Gjithsesi meqenëse ky fenomen ka prekur tashmë fqinjët tanë Greqinë dhe Maqedoninë, natyrisht që edhe ne duhet të jemi të përgatitur. Ky ka qenë qëllimi mbledhjes ku kemi dhënë disa detyra për të bërë një vlerësim të kapaciteteve tona të mundësive që kemi, por dua ta ritheksoj që nuk ka lidhje me ndonjë ngjarje për të cilën ne kemi informacion se do të ndodhë në ditët në vazhdim”, është shprehur Peleshi.

Zëvendëskryeministri flet edhe për krijimin e një komiteti ndërministror për këtë çështje.

“Në qoftë se do të ndodhë një emergjencë për shkak të ndonjë fluksi të mundshëm refugjatësh ne padyshim do të aktivizojmë të gjitha strukturat tona të emergjencave civile nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme dhe më tej mundet edhe në varësi të përmasave mund të aktivizohet edhe Komiteti Ndërministror për Emergjencat. Por thjeshtë jemi duke sensibilizuar institucionet përkatëse për të qenë për çdo eventualitet të përgatitur”, tha zëvendëskryeministri.

I pyetur mbi raportimet e fundit të një portali online se, Qeveria Shqiptare po dakordësohet me BE-n për të strehuar 75.000 sirianë. Peleshi u shpreh:
“Nuk është e vërtetë nuk kemi asnjë negociatë apo shifër konkrete apo bisedime zyrtare lidhur me ndonjë numër të mundshëm refugjatësh, të cilët do të mund të strehohen këtu. Pra, të gjitha besoj janë spekulime ose hamendësime. Nuk ka asnjë negociatë edhe shifër konkrete të negociuar nga ne”.

Edhe Endri Fuga, drejtori komunikimit në Kryeministri, ka hedhur poshtë raportimet se Shqipërisë i është kërkuar të marrë 75.000 sirianë.

Nëpërmjet një postimi sqarues në “Twitter”, ai  thotë se, “Portalet në Shqipëri funksionojnë mbrapsht. Botojnë lajmin, pastaj kërkojnë konfirmim. Lajmi për refugjatet sirianë është i pavërtetë”.

Ndërkohë nga një kërkim në faqen online të gazetës britanike “The Daily Telegraph” dhe gjermanes “Bild”, të cilave u referohen portalet online, nuk kanë asnjë shkrim ku të citohet shifra e 75,000 sirianëve të cilët do t’i drejtohen vendit tonë.

Top Channel