Gjermani, dyfishohet trafikimi i njerëzve nga Ballkani e Lindja e Mesme

07/10/2015 00:00

Raporti i ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, për krimin e organizuar në Gjermani, tregon një rritje të trafikimit të qënieve njerëzore.

Gjatë 2014-s janë regjistruar 2149 raste të tilla në vend, në një kohë kur një vit më parë shënoheshin rreth 1500, çfarë do të thotë shumë më pak.

Pesimistë në parashikimet e tyre, De Maiziere dhe presidenti i Entit Federal për Krimet, Holger Munch, presin shtim edhe më të madh të këtyre rasteve për vitin aktual. Megjithatë, ministri i hodhi poshtë prerazi thashethemet se, në kampet e refugjatëve ka forma të krimit të organizuar, si shantazh apo kërkim parash për mbrojtje.

“Për të tilla pretendime nuk ka prova konkrete, – tha ai, – ashtu siç nuk ka asnjë arsye për dyshime të përgjithshme ndaj refugjatëve”.

Munch, nga ana tjetër, sqaroi se në luftën kundër grupeve të trafikimit, Gjermania dhe EUROPOL-i, që po bashkëpunon me të, i kanë fokusuar më së shumti përpjekjet e tyre në Ballkan dhe Turqi.

Pjesa më e madhe e procedurave të hapura penale ka të bëjë me kontrabandën dhe tregtinë e lëndëve narkotike, ndërsa gati një në 5 procese lidhen me shkelje në fushën e pronës, ku përfshihen vjedhjet e banesave e të makinave.

Në shifrat e ofruara prej zyrtarëve të lartë vërehet një rënie e përqindjes së të dyshuarve vendas, ndërsa niveli i të dyshuarve jogjermanë të përfshirë në rastet e hetuara të kriminalitetit është rritur nga 59 në 62.6 për qind.

Top Channel