Merkel dhe Hollande në PE, rregulla të reja për azilin

08/10/2015 00:00

“Kur populli lëviz, ai vendos” do të shprehej Presidenti francez, François Mitterrand, dy javë pas rënies së murit të Berlinit, në nëntor të vitit 1989, në një vizitë të përbashkët historike me Kancelarin gjerman, Helmut Kohl, në Parlamentin Europian.

Pas 26 vitesh, motori franko-gjerman, simbol i pajtimit dhe unitetit europian, u vu në lëvizje sërish për të përballur eurodeputetët në seancë plenare, ndërsa unioni has krizën më të rëndë në historinë e themelimit të tij.

Martin Schulz, President i PE: Kur bashkëpunimi franko-gjerman nuk funksionon mirë, e gjithë Europa vuan nga kjo.

François Hollande, President i Francës: Sovraniteti europian është aftësia për të vendosur vetë, për të shmangur kthimin në nacionalizëm, populizëm dhe ekstremizëm, që po na çojnë në rrugën e gabuar. Nëse ne jemi këtu, së bashku me kancelaren, kjo ndodh sepse shekullin e fundit pati dy luftra ndërmjet Gjermanisë e Francës. Prandaj, dy vendet tona duan gjithnjë të jenë nismëtare të konstruksioneve të reja europiane.

Ryszard Legutko, grupi konservator, eurodeputet polak: A nuk mendoni se ky është problemi, që një apo dy vende vendosin edhe për reston, ndërkohë që ne jemi gjithsej shumë më tepër se dy?

Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë: Çdo marrëveshje franko-gjermane është ndërtuar mbi kompromisin, por sigurisht që ne kemi një marrëveshje, vetëm nëse të 26 të tjerët pajtohen me të.

Giovanni Pittella, Presidenti i S&D: Edhe sot, fjalët e Miterrand për Europën e madhe janë të vlefshme. Siç e kujtuat edhe ju, roli ynë është parandalimi i së paevitueshmes dhe arritja e së pamundurës për të garantuar se shpresat bëhen realitet.

Manfred Weber, President i PPE: Realiteti tjetër është ai, ku forcat politike të kontinentit i frikësojnë njerëzit, duke i bërë ata të shkatërrojnë atë që gjeneratat e politikanëve të zgjedhur kanë ndërtuar nëpër dekada. Këto forca përshkruajnë problemin, por nuk kanë ide për zgjidhjen.

François Hollande: Na nevojitet një politikë e përbashkët për azilin dhe emigracionin dhe, siç e shpjeguam këtu, duam një sistem të përbashkët, një listë të sigurtë vendesh, politika të njëjta për Turqinë, Libanin, Jordaninë. E kemi për detyrë të ndjekim politikën e azilit dhe të shoqërojmë ata, që vijnë për arsye ekonomike, që nuk kanë të drejtën për të qëndruar në kontinentin tonë, duke e bërë këtë me dinjitet, së bashku, sepse në të kundërt ç’kuptim ka zona “Schengen”?

Guy Verhofstadt (belg), kreu i Grupit Liberal: Le të përballemi me realitetin. Këto kriza të shumëfishta e vënë në rrezik ekzistencën e projektit europian. Nëse nesër zhduket euro, apo përçahet “Schengen”, atëherë çfarë na mbetet në Europë? Një konfederatë e humbur shtetesh. Do jemi të dobët ekonomikisht dhe pa peshë në botë.

Rebecca Harms, Presidente e “Të gjelbërve”: Francezët vepruan për sovranitetin, por gjermanët duhet të lëvizin tani, kur bëhet fjalë për fiksimin e tyre mbi borxhin dhe stabilitetin monetar.

Gabriele Zimmer, kryetare e grupi i ekstremit të majtë: Memorandumet, në rastin e Greqisë, ishin për të ruajtur bankat gjermane, holandeze e franceze. Këto vende janë përfituesit e të ashtuquajturave “paketa të shpëtimit”, prandaj ju kërkojmë që të merrni nismën për shkurtimin e borxhit.

Kancelarja Merkel u sulmua edhe për prodhuesin gjerman të automjeteve, Volkswagen, nën hetim për mashtrim masiv me falsifikimin e rezultateve për testet e emetimeve për 11 milionë automjete.

Angela Merkel: Ajo që ndodhi me Volkswagen kërkon hetim të plotë, me transparencë dhe kam përshtypjen se kompania po mundohet të hedhë dritë. Por, ju lutem, mos e përdorni këtë për bindje politike e mos anuloni automjetet, sepse kjo dënon qindra e mijëra punëtorë të asaj industrie me papunësi.

Seancës nuk i munguan dhe komentet e Farage për “Europën e përçarjes dhe jo të paqes”, siç tha ai, duke uruar largimin e Britanisë së Madhe me referendum nga “Unioni i dështimeve”. Hollande e Merkel komentuan njëzëri pas tij se, i takonte Anglisë të vendoste.

Më herët, Mbreti i Spanjës, Felipe i VI u ftua gjithashtu nga Presidenti i PE-së Schultz, në pothuajse 30-vjetorin e anëtarësimit të vendit në BE. Ai foli për solidaritet në trajtimin e sfidës së emigracionit, ndërsa vendet e periferisë së BE-së nuk e kanë marrë ende veten nga kriza financiare, ndaj dhe u vlerësua nga eurodeputetët për qëndrimet e tij mbi disa çështje të tjera ndërkombëtare.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel