Ndëshkohemi në fund, Serbia fiton 0-2 në “Elbasan Arena”

08/10/2015 00:00

Dy gola të shënuar në minutat e fundit të takimit shuan entuziazmin kuqezi në “Elbasan Arena” dhe i dhanë fitoren skuadrës serbe në përballjen e vlefshme për grupin I të eliminatoreve Euro 2016. Gjithsesi, humbja e Danimarkës me rezultatin 1-0 në Portugali, e lë kombëtaren ende me shpresën e kualifikimit për në Euro 2016, pasi një fitore në transfertën e Armenisë do e bënte ëndrrën realitet.

Në minutën e tretë, Milivojeviç kreu një ndërhyrje me takë nga prapa ndaj Lenjanit, një ndërhyrje e ashpër të cilës Rizzoli nuk i kurseu kartonin e verdhë.

Serbët u shfaqën pesë minuta më vonë në portën tonë, ku pranë zonës morën një goditje dënimi. Adem Ljajiç mori përsipër ekzekutimin e saj, por topi u përplas në murin mbrojtës.

Në minutën e 16, Lorik Cana shkakton një faull teknik për të shmangur një kundërzbritje të serbëve me anë të Mitrovic dhe me të drejtë ndëshkohet me karton të verdhë nga gjyqtari.

Në minutat në vazhdim, Shqipëria mundohet kontrollon më shumë topin, por disa zbritje dhe pasime të sakta në mesfushë, nuk finalizoheshin në të njëjtën mënyrë me repartin sulmues.

Në minutën e 37-të, serbët shënojnë një gol me anë të Ljajiç, por pasi Tosiç kreu një ndërhyrje të gabuar ndaj portierit Berisha dhe me të drejtë gjyqtari i takimit anuloi gjithçka.

Kjo solli nervozizëm në fushë mes lojtarëve, por që u mbyll pa asnjë incident të qenësishëm.

Menjëherë pas këtij rasti, kuqezinjtë dalin në kundërsulm përmes disa pasimeve të sakta dhe të bukura të Lilës, Balajt dhe Lenjanit, por sërish mungon pasimi final. Në minutat e fundit, Andi Lila largohet me barrelë nga fusha e lojës për të mos u rikthyer më në pjesën e dytë.

Shqipëria vazhdoi të këmbëngulë në gjetjen e rrugës së rrjetës, por ishte e paqartë në fazën ofensive, ashtu si edhe në pjesën e parë. E kundërta ishte për serbët, që në daljet e tyre me Ljajiç dhe Kolarov rrezikuan disa herë seriozisht.

Pikërisht këta të dy do të gjenin rrugën e rrjetës në minutat shtesë. Kolarov falë një momenti përgjumjeje të mbrojtjes kuqezi, që godet diagonalisht me të majtën dhe mposht portierin Berisha.

Kuqezinjtë hidhën të gjithë në sulm dhe në përpjekje për të gjetur golin, Lorik Cana merr një goditje dënimi pranë zonës serbe. Goditja e Alban Mehës përplaset në murin serb dhe topi përfundon në këmbët e Ljajiç që niset në një kundërsulm të shpejtë dhe përballë Berishës nuk e ka të vështirë që të dyfishojë rezultatin.

Me kaq mbyllet ky takim, ndërkohë që shpresat e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Francë do të luhen në ndeshjen e fundit përballë Armenisë në transfertë, kjo falë edhe humbjes së Danimarkës me Portugalinë.

Top Channel