Kriza e refugjatëve, “korridori ballkanas” në fokus të BE-së

09/10/2015 00:00

“Kriza e refugjatëve për Europën është një problem që do të zgjasë për disa vite”, deklaroi në Gjermani presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pikërisht në ditën që Bashkimi Europian mbante për këtë temë, për herë të parë, një konferencë të nivelit të lartë me vendet e Ballkanit, Turqinë, Libanin, Jordaninë dhe vendet pjesëmarrëse të marrëveshjes Schengen.

Frank-Walter Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë: “Fakti është se asnjë vend europian nuk mund ta trajtojë i vetëm këtë çështje dhe prandaj mblidhemi, jo vetëm me anëtarët e BE-së, por dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Thomas De Maiziere, ministër i Brendshëm i Gjermanisë: “Ne duhet të dalim së bashku nga kjo, sepse të gjithë prekemi. Jam i lumtur që qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor pranojnë përcaktimin tonë për t’i listuar si vende të sigurta. Ne nuk duam që të rinjtë nga këto vende të kërkojnë azil në Gjermani. Kjo nuk do të funksionojë më në të ardhmen”.

Johannes Hahn, komisioner për Zgjerimin: “Unë mendoj se është e rëndësishme të rikujtoj se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë shkaku për këtë problem. Ato janë viktima ndaj dhe ne po i asistojmë”.

Shqipëria rezulton vendi më pak përfitues i Ballkanit për fondet e para-anëtarësimit të BE-së për veprimtari që lidhen me emigracionin. Në tërësi rezultojnë 4.5 milionë euro, ndër të cilat 3 milionë janë dhënë përmes IPA1 prej vitit 2012, ndërsa për vitin 2015 është përcaktuar një buxhet prej 1.5 milion euro.

Dimitris Avramopoulos, komisioner i BE për Emigracionin: “Siç e dini, Komisioni po mbështet politikën e emigracionit në 6 vendet e Ballkanit perëndimor përmes instrumentave të para-anëtarësimit. Vendet anëtare mbështetën propozimin tonë sot për të ofruar 17 milionë ndihmë humanitare financiare për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbinë, për trajtimin e krizës. Programi i ndihmës me 8 milionë euro shtesë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë do të nisë së shpejti”.

Pjesëmarrësit e konferencës u njohën me gjendjen e refugjatëve në terren nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare dhe agjencitë europiane, si dhe miratuan një deklaratë të përbashkët përfundimtare, në të cilën angazhohen për rritjen e bashkëpunimit mes autoriteteve ligjzbatuese për menaxhimin e kufijve dhe luftën ndaj emigracionit të parregullt.

Shqipëria përfaqësohej nga ministri i Jashtëm dhe zëvendësministrja e Brendshme, sikundër dhe shumica e vendeve ballkanase, ndërkohë që Libani e Jordania u paraqitën në nivel ambasadorësh duke mos i kushtuar shumë rëndësi konferencës, që dëshmoi për tensionet e krijuara mes Serbisë, Kroacisë e Hungarisë, por dhe të Maqedonisë e Turqisë me Greqinë, e cila akuzohet se lë enkas refugjatët të kalojnë për në Gjermani, me justifikimin e shkurtimeve në buxhetin e saj.  

Federica Mogherini, shefe e Politikës së Jashtme të BE: “Po, e kam deklaruar publikisht, por më së shumti kam folur privatisht me liderët e Ballkanit, jo vetëm unë por edhe kolegët e mi në Komision, veçanërisht Johanes Hahn për të qetësuar sa më shumë situatën dhe për të shmangur një përshkallëzim verbal ose joverbal, që në atë pjesë të Europës është ekstremisht e rrezikshme”.

Fluksi i refugjatëve në BE përmban disa kriza në vetëvete për kryediplomatin shqiptar Ditmir Bushati. “Në kuadër të përpjekjeve kolektive për t’iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese si dhe nevojat, në rast se vendi preket nga ky fenomen”, deklaroi ai në këtë konferencë, rezultatetet e së cilës pritet të ndiqen të hënën nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Sebastian Kurz, ministër i Jashtëm i Austrisë: “Si një Europë e bashkuar, ne duhet të kalojmë nga fjalët në veprim. Ne duhet ta trajtojmë situatën në vendet e origjinës dhe të sigurojmë më shumë kufijtë e jashtëm. Në të kundërt, vendet anëtare do të vazhdojnë të fusin duart vetë, siç po veprojnë, duke ndërmarrë më shumë kontrolle kufitare”.

Për shkak të angazhimit në këtë konferencë, komisioneri Hahn nuk mundi të vizitonte Shqipërinë për të parë ndeshjen e kthimit me Serbinë, siç kishte premtuar me të marrë mandatin. Nga ana tjetër, edhe pse kjo konferencë kishte më tepër rëndësi për Serbinë e Maqedoninë, si dy vendet kyçe të korridorit ballkanik për kalimin e refugjatëve, dy ministrat e Serbisë, Daçiç dhe Stefanoviç ishin të vetmit që braktisën darkën zyrtare me ministrat e BE-së për të parë ndeshjen Shqipëri-Serbi.

Top Channel