Kuqezinjtë çtensionohen përpara Armenisë

10/10/2015 17:35

Kombëtarja shqiptare e futbollit çtensionohet përpara nisjes për në Jerevan, ku do të zhvillojë ndeshjen e fundit të fazës në grupe kundër Armenisë. Kjo është sfida vendimtare dhe vetëm 3 pikët na çojnë direkt në Francë 2016, në të kundërt kuqezinjtë do të duhet të presin nëntorin për ndeshjet “play off”.

Futbollistët e grumbulluar nga De Biasi janë filmuar në aeroportin e Rinasit, pak para nisjes drejt Armenisë, duke xhongluar me një top tenisi me Roshin në mes.

Sipas programit të zyrtarizuar nga federata armene, 30 minuta pas konferencës De Biasi do të nisë seancën e fundit stërvitore me lojtarët.

Ndeshja do të drejtohet nga gjyqtari polak, Szymon Marciniak.

Tashmë kuqezinjtë e De Biasit nuk kanë më asnjë mundësi që të jetë kombëtarja më e mirë mes atyre që janë të renditura në vendin e tretë, pasi 6 pikë të humbura në minutata e fundit në “Elbasan Arena” na kanë zbritur në vendin e 5, 4 pikë më pak se Hungaria që kryeson këtë renditje.

Gjithsesi, kombëtarja jonë ka edhe një mundësi të fundit për të siguruar direkt një vend mes perfaqësueseve që do të luajnë në finalet e Euro 2016. Kuqezinjtë e drejtuar nga De biasi duhet të mundin Armeninë me çfarëdolloj rezultati të dielën në Jerevan, në mënyrë që ëndrra e miliona shqiptarëve për të qenë në Francë 2016 të bëhet realitet.

Në rast se dështojnë edhe ndaj skuadrës së fundit në grupin tonë, atëherë shpresat e kualifikimit zhvendosen në ndeshjet e “Play Off”-it që do të luhen në nëntor. Kjo fazë pritet të rezervojë kundërshtarë të fortë, që sigurisht ashtu si ne nuk do të duan të humbasin mundësin për të qenë në Euro 2016.

Top Channel