De Biasi: Në Armeni për kualifikimin

10/10/2015 18:40

Në konferencën për mediat, pak pasi zbriti në Jerevan, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi u shpreh optimist për arritjen e objektivit; kualifikimin direkt për në Euro 2016.

“Shpresojmë që kualifikimin ta arrijmë në Armeni dhe me shumë mundësi do ta bëjmë këtë. Do të ishte gjë e bukur të festonim në Armeni”, tha trajneri kuqezi.

Tekniku italian i kombëtares shqiptare shprehu keqardhjen që një gjë e tillë nuk u realizua në “Elbasan Arena” në ndeshjen kundër Serbisë.

“Për fat të keq në ndeshjen e fundit humbëm mundësinë që të vinim në Armeni të kualifikuar”, tha ai.

Në vijim, De Biasi vuri theksin në ecurinë fantastike të Kombëtares gjatë këtyre eliminatoreve.

“Nëse ditën e shortit do t’i kisha thënë popullit shqiptar që një ndeshje nga fundi me një fitore mund të kualifikohemi në Europian, do të më merrnin për budalla. Ne jemi një vend i vogël dhe me Armeninë nuk kemi të përbashkët vetëm këtë fakt por edhe faktin që si ju kemi shumë emigrantë në mbarë botën. Do të ishte bukur të festonim në vendin tuaj, për të treguar që dhe një vend i vogël si ne mund t’ia dalë”, tha De Biasi.

Ndërkohë, në stërvitjen e fundit përpara sfidës, Andi Lila nuk ia ka dalë mbanë të jetë në dispozicion të trajnerit duke konfirmuar mungesën në 90 minutëshin e Jerevanit.

Shqipërisë i duhet vetëm fitorja me çfarëdolloj rezultati që të kualifikohet direkt për në europianin e Francës, në të kundër vendi i tretë na çon në fazën “play off” që luhet në nëntor, e ku deri më tani janë disa skuadra me emër dhe tejet të forta.

Top Channel