Dështon për 3 vota, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO

09/11/2015 12:45

Kosova nuk ka rritur të bëhet anëtare e UNESCO-s për vetëm tri vota. Nga 142 shtetet anëtare të pranishme, për pranimin e Kosovës votuan 92, 50 ishin kundër, ndërsa 29 shtete abstenuan.

Para procesit të votimit për anëtarësim, u votua edhe për kërkesën e Serbisë, që kjo çështje të shtyhej për Asamblenë e ardhshme të UNESCO-s, por në këtë betejë Kosova arriti shumicën e votave në nevojshme, që procesi i votimit të ndodhte sot.

Vendet që kanë votuar kundër Kosovës, apo kanë abstenuar, kanë qenë kryesisht vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. Por ka pasur gjithashtu edhe vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si Japonia dhe Kuvajti, që kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO; ashtu sikurse dhe shtete si Egjipti, që e njeh pavarësinë por që ka abstenuar.

Menjëherë pas procesit të votimit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se, “rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ka paralajmëruar përsëritje të aplikimit për anëtarësim në UNESCO, por edhe në organizata të tjera”.

Thaçi tha se për 10 muajt e fushatës, si konfidenciale ashtu edhe të hapur, kanë dhënë maksimumin qoftë institucionet e Kosovës, ashtu dhe miqtë e Kosovës.

Dështimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO e ka shfrytëzuar në Paris edhe Rusia, ku ambasadori rus ka deklaruar menjëherë pas procesit të votimit se, kjo ishte një fitore e Serbisë dhe – sipas tij, – ky votim ka dëshmuar se Kosova nuk duhet të ekzistojë si shtet.

Top Channel