Dështimi i Kosovës në UNESCO, Selimi: Shkak situata gjeopolitike në botë

09/11/2015 00:00

Një një lidhje telefonike për edicionin e lajmeve në Top Channel, zv.ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi ka folur rreth dështimit të ditës së sotme në Paris, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ai e ka quajtur këtë votim fitimtar, pavarësisht se jo mjaftueshëm sa për të siguruar synimin kryesor që kishin përpara se ai të ndodhte, e kjo nuk varej vetëm prej Kosovës, por prej situatës gjeopolitike mes fuqive të mëdha.

TCH: Çfarë mendoni se çoi në dështimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO?

Petrit Selimi, zv.ministër i Jashtëm i Kosovës: Janë 3 fakte që duhen pasur parasysh. E para, që shumica e shteteve të botës kanë votuar pro Kosovës në UNESCO dhe ishte një shumicë e madhe, por ja që për 3 vota rezultoi jo e mjaftueshme për shumicën absolute që nevojitej. Së dyti, fushata e Kosovës ka qenë e bazuar në pozitivizëm, optimizëm dhe dashuri për njëri-tjetrin, në respekt të trashëgimisë sonë dhe asaj serbe, tërësisht e kundërt në krahasim me fushatën raciste, negative dhe agresive të Serbisë, që ka qenë e fokusuar në frikësim dhe shkatërrim të mirëbesimit që ekziston mes popujve në Ballkan. Së treti, realisht ky proces votimi nuk varej vetëm nga ne, por edhe prej situatës gjeopolitike. Javët e fundit është bërë edhe çështje konflikti mes Perëndimit dhe Lindjes.

TCH: Çfarë humbi Kosova nga refuzimi për anëtarësim në UNESCO?

Petrit Selimi: Kosova humbi pafund, por gjithsesi Kosova është fituesja më e madhe e viteve të fundit. Ne jemi të lirë, jemi të pavarur, jemi nënshkrues të marrëveshjeve integruese me BE-në që prej javës së kaluar, e gjithashtu do të vazhdojmë të aplikojmë nëpër organizata ndërkombëtare, madje duke pasur sukses në to. Humbëm thjesht një hap në një maratonë e cila zhvillohet në një rrugë njëdrejtimshme: rruga e Kosovës drejt integrimit ndërkombëtar nuk ka kthim prapa. Duke u bazuar edhe në pjesëmarrjen aq masive të qytetarëve kosovarë në fushatën tonë, thjesht besoj se gjërat do të ecin shumë mirë përpara. Dua të them vetëm diçka: ka pasur një keqkuptim tek ne rreth gjuhës arabe dhe votës arabe, fjala arabisht “nai” është “po” dhe po shoh nëpër portale apo media një lloj pezmatimi apo hidhërimi me votën arabe. Unë iu konfirmoj edhe njëherë që shtetet e Gjirit Arabik kanë votuar pro në mënyrë masive e jo vetëm kaq, por edhe kanë lobuar për Republikën e Kosovës. Lobimit të tyre i është kundërvënë dje, përmes një letre shumë të ashpër, shtetet e Brazilit, Indisë, Kinës, Rusisë dhe Afrikës së Jugut, të cilat u vendosën kundër. Në këtë kontekst gjeopolitik ne fituam shumë, por jo mjaftueshëm për të mbërritur në UNESCO.

Top Channel