Meta: Dorëheqja e Naços, kontribut për zgjerimin e bashkëpunimit PS-LSI

09/11/2015 16:40

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke iu përgjigjur interesit të medias mbi dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço ka deklaruar se këtë veprim e vlerëson si “një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm”, të një qytetari që sipas tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë gjithë kësaj periudhe, “në të mirë të qeverisjes dhe të reformave”.

“Por njëkohësisht, me këtë akt  ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh, më të gjerë dhe në nivel të ri, për të çuar përpara gjithë reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë”, ka thënë Meta.

Kryetari i LSI-së ka nënvizuar se nuk i njeh arsyet e dorëheqjes së Naços, duke ftuar gazetarët që t’i drejtohen zyrës së marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Drejtësisë për të zbardhur letrën e tij.

“Unë jam për të gjykuar politikisht veprimin e tij dhe natyrisht që besoj se emri i ri që do të propozojë kryeministri do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë e më të ri”, ka thënë Meta.

I pyetur më tej nëse në vend të Naços do të jetë Ylli Manjani, Meta është përgjigjur: “Nuk dua të shprehem më shumë dhe nuk do të vij më tek Rogneri të pij kafe sepse e kam të pamundur që të dal pa ju përgjigjur interesimit tuaj kur më zini pritë këtu”.

Ai ka refuzuar gjithashtu të prononcohet nëse do të ketë lëvizje të tjera në kabinetin qeveritar. “Besoj se jua dhashë një përgjigje. Ju falënderoj për vëmendjen”, ka shtuar kreu i LSI-së.

Top Channel