Projektligji për ndryshimet në Kodin Penal, përmes të cilave synohet  kriminalizimi i shpifjes, nuk është një rrufe në qiell të hapur për politikën shqiptare. Ndryshimet janë paralajmëruar nga  kryeministri Edi Rama që në 12 shkurt të vitit 2015.

“Ne do të kërkojmë kriminalizimin, një orë e më parë, me ligj, të shpifjes për shkak të detyrës për çdo rast kur akuza e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit ose një partie politike parlamentare, janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik. Dhe, po me ligj ne do të sanksionojmë si të pashmangshëm detyrimin e Prokurorisë për të vepruar menjëherë për të hetuar mbi bazën faktike të një akuze, ku për shkak të detyrës dikush akuzohet se ka kryer një vepër të rëndë penale ose se ka bashkëpunuar me krimin për të kryer një vepër penale”, shprehej Rama.

Publikimi i lajmit lidhur me miratimin e projektligjit nga qeveria shkaktoi panik dhe regaim të fortë në media dhe organizatat e gazetarëve. Por kryeministri Edi Rama, nëpërmjet 3 komenteve në Tëitter, ka hedhur poshtë të gjitha aludimet se ky projektligj ndëshkon edhe gazetarët.

“Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit”, thotë Rama.  Sipas tij, “është koha që kjo shoqëri të përballet hapur me kulturën e shpifjes! Populli nuk na zgjedh dhe nuk na paguan me taksat e tij për të shpifur!”

Edhe neni përkatës, thekson Rama, duhet të reflektojë këtë qëllim që e kam shprehur publikisht me kohë. Në këtë koment, Rama kërkon ndjesë për çdo keqkuptim të madh, siç thotë ai.

Ndërsa Ermonela Felaj, ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, siguroi se ky projetkligj do të ndryshojë për të sheshuar çdo keqkuptim që sipas saj ka ardhur nga keqformulimi.

“Në asnjë moment nuk ka qenë asnjëherë qëllim i këtij neni që të penalizohen gazetarët dhe aq më keq njerëzit e zakonshëm. Qëllimi i këtij neni ka qenë që të vendosë një marrëdhënie të re me të vërtetën, si një detyrim për të gjithë funksionarët dhe të zgjedhurit në nivel qendror dhe vendor”, ka thënë Felaj.

Më herët, edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ka komentuar mbi shqetësimet që shkaktoi ky projektligj: “Jam në dijeni të këtij debati të iniciativës, besoj se ka një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe të mënyrës se si ka funksionuar formulimi, kështu që besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim. Besoj që LSI-ja mbështet çdo iniciativë për dekriminalizim apo jo. Jua thashë që kam përshtypjen që është keqkuptuar qëllimi me formulimin. Kështu që do të ketë reflektim besoj”.

Top Channel