OSBE: Jo kriminalizimit të shpifjes. Qeveria të tolerojë më shumë kritikat

12/11/2015 13:40

Projektligji për shpifjen ndaj figurave publike solli edhe reagimin e përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç.

Zyrtarja e OSBE-së, gjatë së enjtes ishte mjaft aktive në lidhje me çështjen. Rreth mesditës, Mijatoviç reagoi në Tëitter duke u bërë thirrje ligjbërësve shqiptarë, që ta hedhin poshtë propozimin.

“Institucionet dhe zyrtarët publikë nuk duhet të gëzojnë mbrojtje shtesë ndaj deklaratave kritike. Përkundrazi, ata duhet të tolerojnë në një shkallë më të gjerë kritikat, sesa qytetarët e thjeshtë. Sanksionet penale për shpifje janë të ekzagjeruara dhe të pazbatueshme në mënyrë të drejtë, ndaj dhe duhet të zëvendësohen nga ndryshime ligjore efikase, civile ose administrative”, tha Mijatoviç.

Menjëherë pas reagimit të saj në rrjetet sociale, përfaqësuesja e OSBE-së ka pasur një komunikim me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, teksa ky i fundit e ka siguruar se drafti nuk do të kriminalizojë shpifjen. Një gjë e tillë, nga Dunja Mijatoviç është cilësuar si një lajm i mirë që vjen nga Shqipëria, gjë të cilën përfaqësuesja e OSBE-së, në një tjetër postim në Tëitter e komentoi me këto fjalë:

“Si gjithnjë është kënaqësi komunikimi me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili më siguroi se drafti në fjalë nuk do ta kriminalizojë shpifjen. Lajm i mirë nga Shqipëria!”.

Propozimi i Këshillit të Ministrave parashikonte masa ndëshkimore me gjobë dhe burgim deri në 3 vite për “shpifjet ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë apo të zgjedhur”.

Në 2012-n, autoritetet në Shqipëri vendosën të heqin dënimin me burg për veprën e shpifjes, një vendim që u mirëprit nga përfaqësuesja e OSBE-së në Tiranë.

Në lidhje me projektamendamentin e Kodit Penal për shpifjen ndaj zyrtarëve të lartë u shpreh tërësisht kundër edhe Andrej Hunko. Raportuesi për Shqipërinë në Këshillin e Europës tha se, ishte thellësisht i shqetësuar rreth propozimit për kriminalizimin e shpifjes.

Sipas tij, vetëm një vit më parë, Kuvendi e mirëpriti heqjen e dënimeve me burg për ofendim dhe shpifje. Këto, sipas raportuesit Hunko, janë tërësisht kundër këtyre rekomandimeve. Edhe raportuesi i bëri thirrje Parlamentit shqiptar, që të mos e miratonte propozimin.

Top Channel