Terror në Paris, të shtëna e shpërthime; mbi 158 të vrarë

13/11/2015 00:00

Parisi është futur në një “shtetrrethim” të përkohshëm pas ngjarjeve terroriste që tronditën kryeqytetin francez mbrëmjen e së premtes, me 7 sulme të koordinuara në zemër të qytetit, që lanë të paktën mbi 158 viktima.

Tmerri i vërtetë ndodhi në sallën e koncerteve “Bataclan”, ku u vranë 118 persona, të cilët fillimisht u morën peng dhe më pas u ekzekutuan nga tre pengmarrësit. Forcat e policisë bastisën sallën, duke ekzekutuar pengmarrësit, ndërsa liruan pengjet e mbetur.

Fillimisht u raportua për të shtëna brenda restorantit “Petit Cambodge” në “Rue Bichat”, ku mbetën të vdekur 11 persona, ndërsa pak më vonë ndodhën dy shpërthime pranë stadiumit “Stade de France”, ku po zhvillohej ndeshja miqësore mes Francës dhe Gjermanisë. Policia franceze njoftoi se ka vënë në pranga 4 ekstremistë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me sulmet e së premtes.

Restoranti ku ndodhi sulmi i parë është shumë pranë vendit ku ndodhën të shtënat e “Charlie Hebdo” në janar të këtij viti. Një person brenda teatrit tha për një radio franceze se terroristët kishin bërtitur “Allah Akbar” përpara se të hapnin zjarr. Dëshmitarët thanë se pengmarrësit ishin të veshur jelekë antiplumb, ndërsa nuk ishin të maskuar. Sipas dëshmitarëve, ata qëlluan me kallashnikovë AK47, si dhe hodhën edhe granata. Sulmi në sallën e koncerteve ka zgjatur më shumë se 15 minuta.

Nga raportimet e fundit thuhet se edhe Presidenti francez, Francois Hollande, i cili ishte duke parë ndeshjen miqësore France-Gjermani, është larguar për arsye sigurie nga stadiumi, ndërkohë që të gjithë tifozët e pranishëm janë bllokuar brenda stadiumit, për shkak se janë mbyllur dyert e tij. Pas qetësimit të situatës jashtë stadiumit, ata u lanë të dilnin jashtë tij.

Dëshmitarët pranë stadiumit kanë thënë për gazetën “Liberation” se ka dëgjuar mbi 100 të shtëna, ndërkohë që agresori dyshohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.

Të shtëna dhe shpërthime bombash janë dëgjuar edhe në galerinë e artit “Louvre”, si dhe në dy qendra tregtare.

Ndërkaq, në Francë, Presidenti Hollande ka thirrur një mbledhje të kabinetit të emergjencave duke startuar kështu të ashtuquajturin plan alfa të kuq, i vlefshëm në çdo rast kur ndodh ndonjë sulm terrorist në territorin francez.

Në konferencën e shkurtër për shtyp, Presidenti Hollande u shpreh se “populli francez duhet të qëndrojë i bashkuar dhe i qetë, pavarësisht çfarë po ndodh”, ndërkohë që ka urdhëruar mbylljen e kufijve të Francës, për të shmangur ndonjë largim të mundshëm të terroristëve. Hollande shtoi se “janë duke u kryer të gjitha operacionet e nevojshme në këtë situatë, ndërsa forcat e policisë janë në kërkim të atentatorëve në Paris”.

Pas sulmeve, ka reaguar përmes një konference për shtyp nga Shtëpia e Bardhë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama.

Në fjalimin e tij, Obama u shpreh se “sulmet në Paris janë një përpjekje nga njerëz të egër për të terrorizuar civilë të pafajshëm. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përherë në krah të Francës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe do të bëjnë gjithçka mundet për të dërguar terroristët përpara drejtësisë”.

Top Channel