Sulmet terroriste, Shqipëria në gjendje gatishmërie

14/11/2015 00:00

Pas sulmeve terroriste në Francë, Policia e Shtetit njofton se ka kaluar në gatishmëri të plotë që prej mbrëmjes së të premtes.

Zyrtarisht policia  deklaron se efektivët e policisë dhe struktura të veçanta, sikurse është Antiterrori, do të jenë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin pa një afat të caktuar.

Ndërkohë, pas ngjarjeve tragjike dhe tronditëse në Francë, gjatë mesditës Presidenti Bujar Nishani ka takuar numrin një të  Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika.

Objekti i këtij takimi ka qenë interesimi i Presidentit për t’u informuar mbi rreziqet e elementëve radikale që mund të ndodhen edhe në vendin tonë. Megjithatë, nuk jepen hollësi të mëtejshme mbi këtë takim.

Takimet mes përfaqësuesve të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe zyrtarëve të policisë kanë vazhduar gjatë ditës edhe në polici për të vlerësuar situatën dhe për të bashkërenduar veprimet parandaluese dhe planin e masave.

Policia e Shtetit pohon se janë vendosur shërbime shtesë agjentesh në objekte që konsiderohen me risk, sikurse janë ambientet publike me frekuentim të lartë.

Ndërkohë, janë përforcuar masat edhe për ruajtjen dhe sigurimin e ambasadave dhe rezidencave të huaj në Tiranë.

Gjithashtu, theksohet se një plan i veçantë është përpiluar për të mbajtur nën mbikëqyrje persona të dyshuar se kanë prirje radikale ekstremiste e që kanë tendenca për akte terrori.

Kjo listë personash në fakt është e hartuar prej kohësh dhe mbahet nën vëzhgim nga antiterrori që prej goditjes së një grupi ekstremistësh që vepronin në vend dhe rekrutonin shtetas shqiptarë për të luftuar në Siri.

Nga ana tjetër, edhe Policia Kufitare njofton kalimin në gatishmëri për verifikimin e çdo personi që hyn në territorin shqiptar, në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Në njoftim thuhet se “Policia e Shtetit ka përshkallëzuar shkëmbimit e informacionit me partnerët ndërkombëtarë për persona të caktuar që mund të shfaqin tendenca të akteve terroriste”.

Policia e Shtetit ju kërkon gjithashtu qytetarëve dhe u bën thirrje atyre që të mos ngurrojnë të telefonojnë për çdo shqetësim apo problematikë, duke i garantuar për reagimin e shpejtë dhe në kohë.

Top Channel