Sulm ajror, vritet lideri i Shtetit Islamik në Libi

14/11/2015 21:25

Lideri i Shtetit Islamik në Libi ka mbetur i vrarë në një sulm ajror të forcave amerikane, bëjnë të ditur burime nga Pentagoni, të cituara nga mediat amerikane.

Burimet në fjal flasin për një sulm ajror të aviacionit të Shteteve të Bashkuara ndaj eksponentit të spikatur të ISIS, Abu Nabil al Anbari.

Bëhet fjalë për një shtetas iraken, që sipas shërbimeve sekrete amerikane, është dërguar prej kohësh në Libi nga udhëheqësi i grupit terrorist Abu Bakr al Bagdadi, për të organizuar militantët.

Një grup ky, që sipas inteligjencës së Shteteve të Bashkuara është dega më e fortë e ISIS jashtë Irakut dhe Sirisë.

Operacioni, sipas “Washington Post”, është kryer natën e kaluar nga një avion luftarak tip “F-15” dhe për momentin nuk rezulton i lidhur me sulmet në Paris, duke qenë se ishte planifikuar prej kohësh.

Mbi vdekjen e Al Anbarit, vijojnë burimet e Departamentit të Mbrojtjes, siguria është thuajse absolute. Por për momentin nuk bëhet i ditur vendi i saktë se ku është kryer sulmi.

Emri i vërtetë i Al Anbarit është Wisam al Zubaidi, një ish-funksionar i policisë irakene që ndodhet në Libi prej vitit 2014.

Top Channel