Gjermania, tornadot “RECCE” kundër ISIS-it

01/12/2015 10:30

Gjermania synon t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar të Perëndimit në luftën kundër ISIS-it në Siri dhe Irak, por pa u përfshirë në bombardimet e drejtpërdrejta në Siri dhe Irak.

Qeveria gjermane miratoi këtë të martë vendimin për të siguruar ndihmë ushtarake për këtë koalicion.

Shkalla e përfshirjes së Gjermanisë në këtë koalicion do të mbetet e moderuar, megjithëse për të marrë fuqi të plotë, vendimi i kabinetit të Angela Merkel do të duhet më parë të marrë edhe votën në Bundestag ditën e mërkurë.

Atentatet e Parisit duket se shënuan një pikë kthese në qëndrimin e Gjermanisë, e përforcuar kjo edhe nga takimi i së mërkurës në kryeqytetin francez mes presidentit François Hollande dhe kancelares Angela Merkel.

E nxitur nga shefi i Elizesë të bëjë më shumë në përpjekjet kundër terrorizmit, kancelarja premtoi se nuk do të ketë kthim prapa dhe pas njoftimit për dërgimin e 650 trupave ushtarake në Mali, nga Berlini erdhi deklarata se do të shtojë angazhimin për misionet e zbulimit kundër ISIS-it.

“Ne do të forcojmë jo vetëm operacionet e trajnimit në Irakun e Veriut, por do të angazhohemi në luftën kundër terrorit të Shtetit Islamik në Siri me avionë zbulues Tornado RECCE”, deklaroi zëdhënësi i Grupit Parlamentar CDU/CSU, Henning Otte në Berlin.

Megjithatë, zyrtarët gjermanë nuk e konsiderojnë të dobishëm ndërmarrjen e sulmeve ajrore, përderisa zonat në fjalë po bombardohen tashmë nga anëtarët e koalicionit ndërkombëtar, por ofrohen të kontribuojnë me ato aftësi që të tjerëve u mungojnë. Të njëjtat burime sqarojnë se ISIS-i zotëron raketa moderne kundërajrore iraniane dhe është “një kundërshtar për ta marrë shumë seriozisht”.

Tornadot “Recce” kanë mbështetur disa misione ushtarake ndërkombëtare, përfshirë ato në Ballkan apo Afganistan, ku ishin pikërisht 6 avionë të tillë të Gjermanisë ata që u dhanë partnerëve të NATO-s informacionet e nevojshme mbi pozicionet e talibanëve.  

Por nisur nga incidenti i avionit rus në kufirin siriano-turk, gjermanët e shohin si sfidë madhore koordinimin brenda koalicionit anti-ISIS dhe thonë se një episod i tillë nuk duhet të përsëritet më.

Top Channel