ISIS, Gjermania përgatit 1.200 ushtarë, avionë e anije. Pritet votimi në Bundestag

02/12/2015 00:00

Kabineti qeveritar gjerman i dha të martën “dritën jeshile” pjesëmarrjes në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri, e tani i takon Parlamentit të miratojë atë, që do të jetë misioni më i madh ushtarak i Gjermanisë, që prej atij të Afganistanit.

Bundestagu diskuton sot dërgimin e 1.200 ushtarëve, 6 avionëve të zbulimit “Tornado”, avionëve çisternë dhe një frigate në mbështetje të koalicionit ndërkombëtar anti-ISIS.

“Ne po e zgjerojmë pjesëmarrjen tonë në aleancë me luftën kundër të njëjtit grup ekstremist, vetëm se këtë herë në Siri”, deklaroi Angela Merkel, e cila pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris premtoi për Francën asistencë të plotë e të gjithanshme.

Mandati është i vlefshëm për një vit e ka një kosto prej 134 milionë eurosh. Pas diskutimeve të sotme, votimi në dhomën e ulët të Parlamentit gjerman duhet të mbahet të premten dhe gjasat e miratimit të nismës janë të mëdha.

Koalicioni i madh qeveritar i Kancelares ka në Bundestag një shumicë dërrmuese. Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier i tha të përditshmes “Bild” se, pret një lloj skepticizmi mes ligjvënësve, por sërish ka bindjen se plani do të jetë i suksesshëm.

“Ne po bëjmë atë që është e nevojshme ushtarakisht, atë që ne bëjmë më mirë, e që mund të pranohet edhe në rrafshin politik. Përballë një armiku si ISIS-i duhet të jemi të duruar”, tha Frank-Walter Steinmeier.

Një pjesë e deputetëve të së majtës dhe partisë së gjelbër pritet ta kundërshtojnë mandatin ushtarak në Bundestag, e mbase edhe të ankimojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

E shqetësuar është edhe sindikata e forcave të armatosura, “Bundesëehrverband”, kryetari i së cilës, Andre Wuestner i tha televizionit publik “ARD” se luftimet mund të zgjasin 10 vite apo edhe më shumë, ndaj i nxiti udhëheqësit politikë të përvijojnë sa më qartë afatet e misionit.

Top Channel