Kerry në Kosovë: Dhuna e papranueshme, dialog në Kuvend

02/12/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u ka dhënë porosi të qarta liderëve kosovarë, gjatë qëndrimit të tij prej dy orësh në ambientet e aeroportit të Prishtinës.

Pasi zhvilloi takim me kryeministrin Isa Mustafa, zv.kryeministrin Hashim Thaçi dhe zv.kryeministrin serb Branimir Stojanoviç, sekretari amerikan siguroi qytetarët e Kosovës se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje e cila do të cënonte pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se marrëveshjet që ka nënshkruar Kosova nuk kanë qenë të lehta për t’u arritur. Këto janë vendime politike të ashpra, e kuptojmë. Por, aftësia që të marrësh vendime të tilla të vështira në të mirë të vendit quhet “lidership”. Dhe unë jam sot këtu që t’ju përcjell respektin e presidentit Obama dhe të popullit amerikan për lidershipin që po bën këto zgjedhje. Shtetet e Bashkauara të Amerikës janë tejet të kënaqura që kanë parë liderët e Kosovës të vendosur për t’i kryer gjërat gjatë dialogut me Serbinë. Ne i mbështesim ato përpjekje dhe mos bëni gabim: ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të kërcënonte sovranitetin,  sigurinë ose pavarësinë e Kosovës. Ne kemi investuar shumë nga vetja, së bashku, në të ardhmen e Kosovës, ndaj s’do ta vinim në rrezik”, deklaroi Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit foli në Prishtinë edhe për krizën politike dhe gazin lotësjellës në Kuvend, duke ftuar opozitën që qëndrimet e saj t’i japë në mënyrë paqësore në institucione.

“Liria e fjalës në Kuvend, përfshirë të drejtën për protestë paqësore, janë themel i çdo demokracie. Por dhuna është e papranueshme. Parlamenti i Kosovës duhet të jetë vendi ku ka debate kuptimplota mbi politikat publike, ku njerëzit ta dëgjojnë njëri-tjetrin në mënyrë paqësore, pavarësisht ideve të kundërta. Liria e fjalës prodhon ide të reja dhe përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe kjo është serioze. Parlamenti duhet të jetë vend i shenjtë i debatit dhe jo i gazit lotësjellës dhe as i intimidimeve. Të gjitha palët duhet të heqin dorë nga përdorimi i dhunës në jetën publike dhe të angazhohen në mënyrë paqësore me njëri-tjetrin, në mënyrë që të zgjidhin ndasitë dhe të çojnë përpara interesat e vendit”, nënvizoi shefi i diplomacisë amerikane.

Kerry porositi institucionet e Kosovës që të luftojnë krimin dhe korrupsionin dhe të ndëshkojnë të gjithë ata që veprojnë ndesh me ligjin, pasi sipas tij, qytetarët duan ta dinë ku po shkojnë paratë e tyre. Ndër të tjera, ai tha se Kosova është shembull në rajon në luftën kundër terrorizmit.

“Kosova ka dhënë një shembull shumë të fuqishëm me arrestime të profilit të lartë dhe një legjislacion më të fortë. Por më duhet ta them: është e qartë se duhet të bëjmë ende më shumë”, nënvizoi Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit tha më tej se, SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në të gjitha fushat, ndërsa përgëzoi qeverinë për arritjen e marrëveshjes me kompaninë amerikane “Global Contour” për termocentralin energjetik Kosova e Re.

Nga ana tjetër, kryeministri Isa Mustafa u zotua para sekretarit Kerry se Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe ftoi sërish opozitën për dialog.

“Qeveria është e gatshme të bisedojë me opozitën, por nuk e pranon dhunën si instrument të zgjidhjes. Jemi të vendosur që të luftojmë krimin dhe korrupsionin në të gjitha institucionet e vendit”, deklaroi Mustafa.

Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit në Kosovë ka kaluar nën masa të rrepta sigurie në aeroportin “Adem Jashari”, ndërsa vetë Kerry premtoi një vizitë tjetër më të gjatë në Prishtinë në të ardhmen. 

FOTO GALERI
1/2
Salla e pritjes së John Kerryt në Aeroportin e Prishtinës

Top Channel