Shqipëria në ministerialin e NATO-s, Bushati: Rusia po shton praninë në rajon

02/12/2015 00:00

Ministrat e Jashtëm të NATO-s vendosën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, në fillim të vitit të ardhshëm, me Malin e Zi, i cili pritet të jetë anëtari i 29 i aleancës.

Gjatë takimit dyditor në Bruksel, 28 kryediplomatët diskutuan mbi sfidat e sigurisë në luftën kundër terrorizmit. Ata u pajtuan për një strategji të re hibride dhe masat e garancisë ndaj Turqisë, si dhe për vazhdimin e kontributit ushtarak e financiar përtej 2016-s në Afganistan.

Përveç mbështetjes mbi këto vendime të aleancës, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi se shifrat e luftëtarëve të huaj në Shqipëri janë në rënie, ndërkohë që mbetet i pandryshuar qëndrimi i Tiranës ndaj Moskës.

“Shifrat për sa i përket Shqipërisë janë në rënie, sikundër roli aktiv i Shqipërisë në këtë proces është i njohur edhe nga aktorët tanë kryesorë. Është fakt, që kemi një intensifikim të pranisë së Rusisë në rajonin tonë, qoftë edhe në kuptimin deklarativ”, tha ministri i Jashtëm Bushati.

“Ishim në gjendje për të trajtuar disa prej sfidave të vështira e komplekse që hasim, sepse NATO e BE rrethohen nga i njëjti mjedis sigurie”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshem i NATO-s.

“Aleatët në NATO dhe vendet anëtare të BE-së janë plotësisht të vetëdijshëm për rolin kyç të unionit dhe partneritetit me NATO-n për këtë situatë sigurie, me të cilën përballemi jashtë kufijve tanë, por dhe brenda Europës”, tha Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së.

Gjatë këtij ministeriali, sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg zbuloi logon e samitit të ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet më 8-9 korrik të 2016-s në Varshavë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel