Tirana zyrtare përshëndet ftesën e NATO-s për Malin e Zi

02/12/2015 18:20

Të gjithë krerët e institucioneve dhe politikës shqiptare uruan Malin e Zi për ftesën e anëtarësimit në NATO.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uroi homologun malazez, duke e komentuar ftesën si “shprehje të besimit të plotë të Aleancës për përmbylljen me sukses të reformave të ndërmarra nga vendi juaj në këtë fazë të anëtarësimit”.

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook, duke përshëndetur ftesën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO tha:

“Një lajm i shkëlqyer ftesa për antarësim në NATO drejtuar Malit të Zi. Ne jemi krenarë që gjithnjë kemi mbështetur fqinjët tanë të mirë dhe miq drejt kësaj rruge”.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e cilësoi ftesën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim si “një vendim historik” dhe si një konfirmim të politikës së dyerve të hapura të NATO- s në shërbim të sigurisë, stabilitetit dhe të mbrojtjes së vlerave demokratike të vendeve të rajonit.

Edhe Partia Demokratike përshëndeti këtë hap. “Ky është një vendim historik jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor, për të përmbushur vizionin e një Europe të bashkuar, të lirë dhe në paqe”, ishte urimi i partisë më të madhe të opozitës.

Ajo shprehu bindjen se, “politika e dyerve të hapura të NATO-s do të vazhdojë të jetë një nga nxitësit kryesorë të transformimit dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Top Channel