Rusia: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO destabilizon rajonin

02/12/2015 17:25

Ftesa e mbërritur në dyert e Malit të Zi për anëtarësim në NATO duket se do të përshkallëzojë tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë.

Zëdhënësi i Vladimir Putin tha se Rusia do të shohë mundësinë e “ngrirjes” së marrëdhënieve me NATO-n. Kjo deklaratë e tij është në përputhje me qëndrimet e mëhershme të Kremlinit, që kundërshton zgjerimin e mëtejshëm në Lindje të NATO-s.

Ndërkohë, kreu i Komisionit të Mbrojtjes në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, Viktor Ozerov shkoi edhe më tej duke deklaruar se Moska do të pezullojë të gjitha projektet e përbashkëta me Malin e Zi, përfshirë këtu edhe ato të bashkëpunimit ushtarak.

E ashpër ishte deklarata e dalë edhe nga zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme. “Kjo nismë me gjasa do të sjellë në përplasje dhe nuk do të promovojë paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe as në Europë, përveçse do të pështjellojë akoma më shumë marrëdhëniet e Rusisë me NATO”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Rusia ka mjaft interesa ekonomike në Mal të Zi, ndërkohë që kjo përplasje i shtohet listës së gjatë të përballjeve diplomatike mes Perëndimit dhe Moskës, duke nisur që me krizën siriane, atë në Lindje të Ukrainës, Krimenë dhe shkeljet e shpeshta të hapësirës ajrore të vendeve të Aleancës nga ana e avionëve rusë.

Kur Ukraina aplikoi për t’iu bashkuar Aleancës në vitin 2008, Putin kërcënoi se nëse procesi i anëtarësimit do të përparonte, Rusia do të aneksonte Ukrainën Lindore dhe Krimenë. Moska aneksoi Krimenë në muajin prill dhe shkaktoi një konfikt të armatosur në lindje të Ukrainës që ka lënë të paktën 8 mijë të vdekur dhe e gjitha kjo pas nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Kievit dhe Bashkimit Europian, pra për shumë më pak se një anëtarësim në NATO.

Top Channel