Askush si ai më parë, Messi fiton “Topin e Artë” për herë të pestë

11/01/2016 19:55

Është sërish Lionel Messi, për herë të pestë, fitues i “Topi të Artë”. Në ceremoninë gala të organizuar në Zyrih, argjentinasi u kurorëzua si futbollisti më i mirë i 2015-s, pas votimit të gazetarëve, të trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare.

Në garë për futbollistin më të mirë për vitin që lamë pas ishin Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, si dhe braziliani Neymar.

Në fakt, lajmi se Messi ishte fitues për herë të pestë i trofeut të “Topit të Artë” u publikua ditë më parë nga FIFA në faqen zyrtare të saj, por ai qëndrojë vetëm pak minuta dhe më pas u fshi. Gafë e pabesueshme, por që tashmë rezultoi që lajmi të jetë i vërtetë.

Argjentinasi zhvilloi një sezon të shkëlqyer vitin e kaluar me Barcelonën, duke arritur të fitojë 5 trofe nga 6 të mundshëm. Ndërsa me Argjentinën, Messi arriti deri në finalen e Kupës së Amerikës Latine, të humbur më pas ndaj Kilit në finale.

Në ceremoninë gala në Zyrih u nda edhe çmime të tjera, ku Carli Lloyd u shpall futbollistja më e mirë për femra. Goli më i bukur për vitin që lamë pas u zgjodh ai i shënuar nga Wendell Lira.

Trajneri më i mirë: Luis Enrique, Barcelona.

Trajnerja më e mirë për femra: Jill Ellis, trajnere e Shteteve të Bashkuara.

FIFA Fair Play: Të gjitha organizatat e futbollit që mbështetën refugjatët.

Ekipi më i mirë për vitin 2015: Manuel Neuer; Thiago Silva, Marcelo, Sergio Ramos, Dani Alves; Andres Iniesta, Luka Modric, Paul Pogba; Lionel Messi, Neymar, Cristiano Ronaldo.

Top Channel