“Drejtësia”, Minxhozi: Ja kush “humbet” nga reforma

12/01/2016 00:00

Dy grupet e ekspertëve që u ulën pak ditë më parë në negociata me ambasadorin amerikan dhe atë të Bashkimit Europian kanë dështuar të gjejnë kompromisin për draftin e reformës në drejtësi.

Ekspertët e nivelit të lartë për reformën në drejtësi punuan pa përfaqësuesit e opozitës dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të përmbledhur në një draft propozimet që janë bërë në tryezë, por kur doli pasditen e së martës për të deklaruar përfundimin e punës, Sokol Sadushi u shoqërua nga përfaqësuesit e EURALIUS-it dhe të OPDAT-it.

Për të gjitha këto zhvillime, në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte i ftuar bashkëpunëtori dhe analisti Skënder Minxhozi i cili përballë gazetarit Pandi Gjata bëri një analizë të gjithë çfarë po ndodhë dhe atë se si pritet të rrjedhë procesi i kësaj reforme.

Minxhozi këmbëngul se punimet për reformën duhet të vazhdonin ashtu siç nisën, larg politikës, pasi vetëm kështu mund të shmangeshin skenat të cilat i shohim sot, ku mungon kompromisi për draftin.

Sipas tij, edhe opozita duhej të kishte përgatitur draftin e saj dhe më pas t’i lihej Komisionit të Venecias që të thoshte fjalën e fundit për të dyja draftet. Po ashtu, Minxhozi tha se e djathta është ajo që humb më shumë nga kjo reformë.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: E prisje që do të merrte këtë rrjedhojë të njëanshme edhe kjo reformë e rëndësishme?

Skënder Minxhozi: Natyrisht që e prisja që të kishte rezistencë, përplasje politike rreth draftit, ajo që unë prisja dhe që nuk po e vë re deri më tani ishte që presioni i jashtëzakonshëm ndërkombëtar, në një projekt që ka një dozë të mirë partneriteti, pse jo edhe porosie të komunitetit ndërkombëtarë, të mos krijonte ato efekte që priteshin deri më tani tek aktorët politika. Prisja që këto ecejake të shpeshta ambasadorëve nëpër selitë kryesore të politikës dhe të shtetit të krijonin një frymë më konvergjente, më bashkëpunuese, por duhet të dimë që ky është një proces që jo vetëm substanca, por edhe taktika ka rolin e saj dhe fare mirë nesër ngjarjet mund të marrin një rrugë tjetër nga ajo që është sot se dimë që palët ushtrojnë taktikën e tërheqjes së litarit në një ushtrim force ku interesat në lojë janë shumë të mëdha. Është një situatë ku partitë dhe faktorët në peshë të shtetit mundohen të fusin sa më shumë nga qëndrimi dhe nga interesat e tyre në një draft që aspirohet të ndryshojë faqen e sistemit tonë të drejtësisë dhe shoqërisë shqiptare më vonë si një efekt parësor i pritshëm dhe logjikshëm. Pra, kur këta faktorë përpiqen që në këtë draft të lënë një shenjë sa më të madhe për të marrë sa më shumë prej tij.

Pandi Gjata: Politika ia doli që sërish të grisë një marrëveshje, i referohem asaj që u arrit të premten dhe që do të monitorohej nga dy ambasadorët të rëndësishëm, Lu dhe Vllahutin, aq më tepër kur kujtojmë deklaratën e ambasadorit amerikan që tha se kam udhëzim të drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë dhe DASH dhe SHBA nuk do të jetë e qetë derisa ku proces të përmbyllet. Mesazhi ndërkombëtar ka qenë shumë i fortë apo jo?

Skënder Minxhozi: Më se e drejtë kjo që thoni. Dua ta filloj duke thënë që do të ishte gabim që ky proces të konsiderohej si një atribut i vetëm i shqiptarëve, në këtë pikë të zhvillimit ku ndodhet shoqëria jonë dhe shteti ynë. Pse e them këtë? Është një ndërmarrje shumë e madhe, e keni parë draftin dhe i keni prekur me dorë modifikimet e thella që ato sjellin dhe shpesh në një frymë të përmbytjeve në raport me situatën ku jemi dhe është pikërisht kjo qëllimi parësor i reformës në drejtësi, pra që ta startojë nga e para makinën e drejtësisë duke e fikur fillimisht. Si e tillë u proces nuk mund të jetë veçse shqiptar, ku është një proces që ka nisur në shkallë rajonale dhe që lidhet me një proces më të madh se ky, pra modifikohuni, pastrohuni që të vini në klubin tonë. Europa, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, i thotë vendeve të Ballkanit se me këto elita politike, me këto sisteme drejtësie, me këto institucione të korruptuara ju nuk mund të vini në klubin e të zhvilluarve. Nuk mund të hyni me lecka, dilni blini një kostum dhe hyni nga dera kryesore, andej nga hyhet për në Bruksel. Është një proces që ne e shohim se ka ndodhur prej vitesh para se Kroacia, ose ishte në njëfarë mënyre letërnjoftimi i padeklaruar i Kroacisë për të hyrë në derën e BE-së, ashtu siç ishte edhe rasti i Rumanisë ku kanë ndodhur zhvillime spektakolare në drejtim të vendosjes shtetit të së drejtës, pastrimi i klasës politike, dënimi i korrupsionit, por edhe të sistemit juridik etj. etj., të gjithë spektrit të shoqërisë. Është një proces i cili po na afrohet në mënyrë të pashmangshme, hyri brenda logjikës së tij edhe Serbia me ato 80 arrestime spektakolare në javët e fundit, edhe Mali i Zi është në të njëjtën logjikë, edhe në Kosovë për shkak të statusit “ad-hoc” që ka ky vend dhe një rast “sui-generis” në diplomacinë ndërkombëtare ku të huajt kanë kompetenca të caktuara në drejtësi, poli, etj., ata vendosën të largojnë një President që nuk ju përshtat, le ta themi hapur, pavarësisht se shoqëria kosovare ka shumë probleme. Si çdo proces, i cili më së fundmi është përplasur edhe në Shqipëri, ashtu edhe pastrimi i përgjithshëm i shoqërisë dhe klasës drejtuese të vendit do të ndodhë si një etapë e fundit rajonale, e thënë në mënyrë metaforike, do të kapim vagonin e fundit të trenit si për shumë gjëra të tjera. Janë procese që ndodhin në një logjikë që e bëjnë edhe reformën në drejtësi që e bëjnë në këtë listë hapash drejt integrimit tonë në BE. Jemi në logjikën e momentit dhe logjikën e atij kursi që ne kemi ndjekur në 25 vjet, pra si e tillë reforma nuk mund të cilësohet si një krijesë nga hiçi, u zgjua dikush nga bulevard dhe tha do të bëjë një reformë në drejtësi, kjo është një pasojë e drejtpërdrejt e asaj çfarë ndodhë rreth nesh.

Pandi Gjata: Meqë jemi të mungesa e konsensusit për këtë reformë kaq të rëndësishme, nuk e dimë çfarë do të ndodhë sot (e martë) kur drafti i ekspertëve të shkojë në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi, por ajo që dihet është se nuk do të kemi dy drafte. Por, vula do t’i vihet se çfarë do të dërgojnë apo çmendim do të japë Komisioni i Venecias apo jo?

Skënder Minxhozi: Mbetet për t’u parë se çfarë skenarësh do të na rezervojnë forcat politike deri në momentin kur drafti të niset për në Venecia.

Pandi Gjata: Pret surpriza të tjera?

Skënder Minxhozi: Surprizat janë pas qoshes në këtë orë sepse mund të ketë një ndërhyrje të fuqishme në ndonjërën prej palëve ose tek të dyja bashkë, mund të ketë një demarsh si ai i pasdites të Ministrisë së Drejtësisë për të gjetur modalitete dhe klauzola që të zhbllokojnë ngërçin e mënyrës së votimit të institucioneve të reja që krijohen në bazë të reformës në drejtësi, mund të ketë shumë zhvillime. Ajo që mua më vjen keq është se si ekslodohet mundësia e një opinioni alternativ të një pale që nuk bie dakord me palën tjetër dhe mua kjo do të më dukej shumë e ndershme nga momenti kur ti nuk bie dakord me qeverinë dhe qeveria me ty, atëherë paraqiten në derën e gjyqtarit që është konsideruar i mirëqenë nga të gjitha palët, pra Komisioni i Venecias, trokitet me listën e tij të kërkesave dhe modifikimeve dhe më pas le ta vendosin ata sepse është një lojë e hapur dhe shanset janë 50 me 50. Unë do të doja të shihja një gjë të tillë më shumë se një ngërç kur e vë përballë një kolapsi, atëherë mua do të më dukej anormale që një pjesë e spektrit politik me dëshirën e tij të refuzonte të përfaqësohej në draftin për reformën në drejtësi, mua kjo nuk më duket aspak normale.

Pandi Gjata: Në këtë pikë ku ne jemi sot, a mund të jetë si opsion ajo që është diskutuar gjatë gjithë javëve të fundit për një tryezë të liderëve kryesorë të vendit apo nga mënyra se si rrodhën ngjarjet është ezauruar kjo gjë?

Skënder Minxhozi: Reforma në drejtësi ka ndjekur një korsi e cila jo rastësisht mori atë formë që mori, në pikëpamje organizative, infrastrukturës, logjistikës, organizimit, të gjithë panelëve të ekspertëve që komunikonin me komisionin e posaçëm parlamentar. Nuk është një skemë e rastit, është një skemë e cila i bie sërish idesë fillestare të asaj ndërhyrjeje, influence, presioni pozitiv të bashkësisë ndërkombëtare që këtu të fillonte një reformë e thellë, pa hile, pa subjektivizëm, dhe mbajtur në një distancë të shëndetshme nga interesat e pozitës dhe opozitës. Si të thuash këto panele ekspertësh kanë punuar me muaj në një univers paralel, gjatë viti 2015 kanë ndodhur shumë ngjarje dhe trauma, por ato panele kanë punuar me draftin e reformës sepse ishte menduar dhe nuk është sekret ta themi se partnerët ndërkombëtare menduan që sa më larg politikës të mbahet kjo trupë ekspertësh që do të merret kjo materie delikate siç është reforma në drejtësi, aq më mirë do të ishte për vetë reformën dhe mbyllej qarku ën mënyrë virtuoze kur ti e negocion me ekspertë dhe e dërgon sërish tek i njëjti arbitër të cilën e kanë pranuar të gjithë që do t’i vejë vulën, pra e dërgon në “Venecia” dhe diskutohet dhe nëse “Venecia” thotë që është në rregull atëherë merr një votë që ka rëndësinë dhe peshën e saj. Por, unë mendoj se në momentin kur ti e afron draftin tek partitë politike shohim këto skena që nëjra palë ikën, tjetra vjen, ikën prapë, qeveria që kërkon të veten, opozita të veten. Ishte shumë më e shëndetshme për procesin që të ketë një formulim nga ekspertë, një shqyrtim me themel përsa i përket saktësisë së tij nga Komisioni i Venecias dhe në bazë të faktit që ky është i vetmi gjykatës i pranuar nga të gjithë që do t’i vërë vulën reformës, më vonë ajo votohet nga politika. Nuk ka pse të ketë asnjë ndjesi neglizhence nga klasa jonë politike që nuk u mor me këtë reformë sepse ka arsye etike se pse klasa jonë politike mund të merret po edhe mund të mos merret.

Pandi Gjata: Nga ajo që ju njihni dhe nga peshorja e këtyre 25-viteve të politikës shqiptare mendon se është shumica apo pakica e politikës ajo që nuk e do këtë reformë në drejtësi?

Skënder Minxhozi: Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet të shohim se kush e kontrollon korporatën e drejtësisë deri më sot, të paktën segmentet e saj, dhe unë këtu nuk kam asnjë vështirësi të them se për shkak të proceseve historike dhe zhvillimeve të 25-viteve të fundit, rrugës ku ka shkelur Shqipëria dhe mënyrës se si janë zhvilluar ngjarjet në këtë vend për shkak të ritmit të cilësisë dhe dimensioneve që ka marrë jeta politike, reformat që janë zbatuar, peripecitë që kemi kaluar, tunelet ku kemi hyre dhe nga kemi dalë, krizat e thella, ringritjet, etj. etj, i gjithë ky cirk ngjarjesh ka përcaktuar se edhe sistemi i drejtësisë që është një pjesë substanciale e një shteti demokratik nuk ishte i pavarur nga jeta politike. Shikoni kush ka qeverisur më gjatë në Shqipëri, shikoni kush ka qeverisur në nivele më të larta në Shqipëri dhe shikoni kush ka qeverisur në dekadën e parë kur edhe drejtësia ka hedhur hapat e parë dhe ku është dashur të bëhen ndryshimet më te thella në pikëpamje të stafeve, trupave gjyqtarëve, prokurorëve etj., kur ra e gjithë grehina e komunizmit dhe ku ato zyra bosh u desh të mbushen me njerëz të rinj dhe në këtë sens mund të them që e djathta ka shumë për të “humbur” në pikëpamje të akcesit dhe influencës mbi sistemin gjyqësor dhe Prokurorinë sesa e majta. Unë them që nuk është e rastit që dalim nga një 8-vjeçar qeverisjeje e djathtë ku vit pas vitit, OKB, DASH dhe shumë organizma të tjerë vinin në dukje se sa i krimbur ishte sistemi dhe kur nuk ndërmerreshin hapa substancialë drejt sistemit. Dhe tani po të shohim, njëra palë, opozita e përtyp dhe pa shumë dëshirë idenë e një përmbysje kaq të madhe siç e kërkojnë edhe të huajt në sistemin e drejtësisë. Le të shohim konkretisht, KLD ka kryetar Presidentin që është kandiduar nga e djathta, një pjesë e madhe e trupës së gjyqtarëve ndërvite kanë treguar me rekordet e tyre se në afera shumë të nxehta dhe delikate, që ndoshta do të dëmtonin edhe qeverisjet e shkuara, janë treguar më të kujdesshëm seç duhet, prokurorët janë treguar gjithashtu më të kujdesshëm seç duhet. Me këtë nuk dua të them që sektorë të të majtës nuk kanë akces në sistemin e drejtësisë, por nëse sot do të përpiqeshim të vinin në një balancë se cila nga palët do të humbiste në pikëpamje të suksesit në sistemin gjyqësor, unë do të thosha që nuk ka asnjë dyshim se nga do të anonte kjo balancë.

Top Channel