Erdogan reagon pas sulmit: Përgjegjës, militantët e ISIS

12/01/2016 12:55

Mes 10 viktimave të shpërthimit të fuqishëm, që tronditi këtë të martë lagjen historike “Sulltanahmet” të Stambollit, ka turq e të huaj. 15 janë të plagosurit. E ndërsa përgjatë gjithë paradites informacionet nga vendngjarja ishin kaotike, Presidenti Recep Tayyip Erdogan u dha fund hamendësimeve mbi natyrën e sulmit, duke e përkufizuar si vepër të një atentatori vetëvrasës. Kamikazi, sipas kreut të shtetit turk, ishte nga Siria.

“E dënoj me forcë aktin terrorist në lagjen ‘Sulltanahmet’ të Stambollit, sulm ky i ndërmarrë sipas të dhënave tona nga një kamikaz me origjinë siriane. Fatkeqësisht, deri tani kemi 10 të vdekur, disa nga të cilët janë shtetas turq, të tjerët shtetas të huaj. Dua t’u përcjell ngushëllimet e mia të afërmve të viktimave e t’u uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Kjo ngjarje na tregoi edhe njëherë sa e nevojshme është të ruajmë solidaritetin e të qëndrojmë të bashkuar, përballë sulmeve terroriste”, tha Recep Tayyip Erdogan, President i Turqisë.

Turqia, – shtoi Erdogan, – është objektivi kryesor i grupeve terroriste në rajon, të cilat i lufton që të gjitha njësoj. Menjëherë pas shpërthimit, autoambulancat vërshuan në vendngjarje, ndërsa policia bllokoi të gjithë zonën.

Sipas agjencisë së lajmeve “DPA”, forcat e rendit po hetojnë me intensitet të shtuar. Në veçanti, të rëndësishme konsiderohen informacionet mbi llojin e eksplozivit të përdorur, çfarë mund të hedhë më shumë dritë mbi sfondin e sulmeve.

Shpërthimi ka qenë mjaft i fortë e është dëgjuar disa kilometra larg. Mësohet se një shtetas norvegjez është duke marrë trajtim mjekësor në spital, ndërsa Ministria e Jashtme në Gjermani raportoi se mes viktimave ka disa gjermanë.

Në faqen e saj të internetit, turistët gjermanë në Stamboll këshillohen të shmangin grumbullimet e mëdha të njerëzve apo objektet e konsideruara si atraksione kryesore turistike, ndërsa paralajmëron mbi rrezikun e përplasjeve të dhunshme e sulmeve të tjera terroriste në mbarë Turqinë.

Në lagjen “Sulltanahmet” gjenden një sërë godinash shumë tërheqëse për të huajt, siç është “Xhamia Blu”. Ka pasur një sërë sulmesh sporadike në Stamboll muajt e fundit, të atribuuara një grupi të ekstremit të majtë, ndërsa dhuna mes forcave turke dhe militantëve kurdë të PKK-së është përshkallëzuar ndjeshëm, pas shembjes së armëpushimit.

Turqia, nga ana tjetër, është bërë prè e një serie sulmesh me bomba, për të cilat fajësohet Shteti Islamik. Dy sulme kamikaze në kryeqytetin Ankara morën më shumë se 100 jetë njerëzish në muajin tetor, ndërsa në korrik mbi 30 vetë u vranë nga një shpërthim në qytetin e Suruçit, në kufi me Sirinë.

Top Channel