Turqi, arrestohen 3 shtetas rusë. Ndihmonin militantët e ISIS

13/01/2016 00:00

Policia në Antalia të Turqisë arrestoi 3 shtetas rusë, të akuzuar për lidhje me Shtetin Islamik. Njësi të Antiterrorit zhvilluan atje dhe në Izmir një seri bastisjesh, pas shpërthimit të një dite më parë në Stamboll, ku humbën jetën 10 vetë.

Të dyshuarit thuhet të kenë qenë në kontakt me luftëtarët e ISIS-it në zona konflikti, të cilët – sipas zyrtarëve turq, – edhe i kanë siguruar mbështetje logjistike. Moska vet e ka pohuar se, mjaft rusë janë larguar nga vendi për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri.

Media shtetërore turke njoftoi sot se, 68 persona janë arrestuar deri më tani në qytete të ndryshme të vendit, 16 nga të cilët, – sipas zyrtarëve vendas, – ishin duke planifikuar një sulm në Ankara.

21 prangosje u kryen në Sanliurfa, pranë kufirit me Sirinë. Edhe këta persona duket se po thurnin plane për sulme si ai i Stambollit. Shumica e 10 të vrarëve nga shpërthimi i një dite më parë ishin gjermanë. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere mbërriti këtë të mërkurë në Ankara, për të parë nga afër situatën.

Sipas të përditshmes “Hurriyet”, shërbimet turke të inteligjences i kishin paralajmëruar dy herë forcat e sigurisë mbi mundësinë e sulmeve ndaj turistëve të huaj. Vitin që shkoi, dy episode të përgjakshme dhune, të atribuuara ISIS-it, morën me dhjetëra jetë njerëzish në qytetin kufitar të Suruçit, e pas kësaj në Ankara.

Megjithatë, askush nuk ka bërë përpara të marrë përgjegjësinë për shpërthimin e së martës. Fill pas ngjarjes, kryeministri turk Ahmet Davutoglu thirri në një takim urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të përbërë nga ministri i Brendshëm e disa zyrtarë të tjerë të lartë. Pas takimit, shefi i ekzekutivit turk tha se, autori i sulmit ishte anëtar i ISIS-it dhe u zotua për ta luftuar grupin militant derisa të mos përbëjë më kërcënim për Turqinë dhe për botën.

Personi përgjegjës për sulmin e Stambollit, një i ri i ditëlindjes 1988, sipas kryeministrit nuk ishte në mesin e mijëra të dyshuarve, që gjurmoheshin nga autoritetet turke dhe ka hyrë tani vonë në Turqi nga Siria. Ankaraja e përforcoi vitin e kaluar angazhimin për goditjen e ISIS-it pas valës së kritikave, se vendi nuk po bënte sa duhej për frenimin e terroristëve.

Top Channel